Të paktën pesë fëmijë të plagosur pas të shtënave në një shkollë në SHBA

Të paktën pesë fëmijë janë plagosur gjatë të shtënave në një shkollë katolike në Mineapolis të Shteteve të Bashkuara, thanë autoritetet dhe një spital.
Guvernatori i Minesotës, Tim Walz, e cilësoi ngjarjen, që ndodhi në javën e parë të mësimit, si “të tmerrshme”.
Autoritetet në qytetin e Mineapolisit thanë se sulmuesi i dyshuar është neutralizuar, pas të shtënave në shkollën katolike, duke shtuar se nuk ka më “kërcënim” për banorët.
Walz shkroi në rrjetet sociale se është informuar nga autoritetet për të shtënat.
“Lutem për fëmijët tanë dhe mësuesit, java e parë e të cilëve u shënua nga ky akt i tmerrshëm i dhunës”, shkroi Walz në X.
jë spital pediatrik në Minesota përmes një njoftimi tha se ka pranuar pesë fëmijë. Po ashtu, një spital tjetër tha se po trajton pacientë pas të shtënave.
Bill Bienemann, që jeton jo larg shkollës, tha se ka dëgjuar të shtëna, ndoshta 50, që zgjatën për katër minuta.
“U trondita. Thash se nuk ka mundësi që këto të jenë të shtëna. Kishte shumë të shtëna”, tha ai.
Shkolla, ku ndodhën të shtënat, është evakuuar dhe familjarët e nxënësve më pas janë dërguar në një zonë afër për t’u takuar t’u ribashkuar me fëmijët e tyre.
Jashtë shkollës është parë prani e madhe e forcave policore.
Presidenti amerikan, Donald Trump, shkroi në Truth Social se është informuar për “të shtënat tragjike”, duke shtuar se Shtëpia e Bardhë do të vazhdojë ta monitorojë situatën.
E themeluar në vitin 1923, shkolla që ofron mësim nga niveli parashkollor deri në klasën e tetë. Shkolla, sipas ueb-faqes së saj, kishte planifikuar mbajtjen e një meshe mëngjesin e së mërkurës, në orën 08:15, sipas kohës lokale.
Të hënën ishte dita e parë e mësimit.
Të shtënat në Mineapolis ishin incidenti i fundit në një seri të ngjarjeve vdekjeprurëse në qytet brenda më pak se 24 orëve. Një person u vra dhe gjashtë të tjerë u lënduan të martën pasdite jashtë një shkolle të mesme në Mineapolis. Disa orë më vonë, dy persona vdiqën në dy të shtëna të tjera në qytet.
Të shtënat në shkollë të mërkurën ndodhën pas një vale të thirrjeve të rreme për të shtëna në disa kampuse amerikane. Paralajmërimet e rreme detyruan universitetet që të dërgonin mesazhe me udhëzimet për studentët që të largoheshin nga objektet mësimore, teksa në SHBA këtë javë nisi viti shkollor. /REL/