Ra nga kati i 4-të në hapësirën e ashensorit, vdes 58 vjeçari në Ferizaj

Një person ka vdekur në Ferizaj pasi dyshohet se ka rënë në hapësirën e ashensorit nga kati i katërt i një ndërtese kolektive.
Lajmin për IndeksOnline e ka konfirmuar zëdhënsi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizja, Kanun Veseli.
“Ju njoftojmë se më datën 27.08.2025, rreth orës 09:20, kemi pranuar një informatë se në rrugën “Sadik Bega” – Ferizaj, një person dyshohet se ka rënë në hapësirën e ashensorit, kati i katërt i një ndërtese kolektive”, tha Veseli.
Ai ka njoftuar se njësitë policore menjëherë kanë dalë në vendngjarje, ku kanë arritur gjithashtu ekipi i Emergjencës dhe ai i Zjarrfikësve.
“Mjeku kujdestar që ka dalë në vendngjarje ka konstatuar se viktima është pa shenja jete. Personi i vdekur është një mashkull kosovar, 58 vjeç”, tha Veseli për IndeksOnline.
Tutje ai tha se në vendngjarje kanë dalë edhe njësitë e hetimeve të stacionit policor në Ferizaj si dhe ato të Sektorit Rajonal.
Me vendim të prokurorit të shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML-Prishtinë për obduksion. /IndeksOnline/