75 Mall Live Search
09:54 / E Enjte, 28 Gusht 2025 / KV

Vrasja e Ardit Zymerit në Vushtrri, ngrihet aktakuzë ndaj të pandehurit

Prokuroria Themelore në Mitrovicë – Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë  ndaj të pandehurit me iniciale B.D., për shkak të veprave penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

I pandehuri akuzohet se më 23 mars 2025 rreth orës 20:30 minuta në rrugën “Galip Badivuku” në Vushtrri, me dashje e ka privuar nga jeta viktimën Ardit Zymerin, duke e gjuajtur dhe goditur viktimën tri (3) herë në trup. Viktima si pasojë e plagëve të shumëfishta të shkaktuara nga predhat e hedhura nga arma e zjarrit pëson dëmtime të rënda në mushkëri dhe mëlçi duke i shkatuar gjakderdhje masive dhe pamjaftueshmëri të menjëhershme respiratore, ai ndërron jetë në Repartin e Emergjencës në Spitalin e Vushtrrisë, po ashtu nga të shtënat nga arma e zjarrit e të pandehurit në rrugë publike vihet në rrezik edhe jeta e personave tjerë.

Gjatë arrestimit, të pandehurit B.D., i është gjendur dhe sekuestruar arma me të cilën është kryer vepra penale dhe e cila ka qenë në posedim në kundërshtim me Ligjin Nr.05/L -022 për armët.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, me rastin e ngritjes së aktakuzës ka kërkuar nga gjykata që të pandehurin ta shpallë fajtor për veprat e kryera penale dhe ta dënojë sipas ligjit.