Murati: Janë dy opsione për sot, te shohim kë po e zgjedh opozita

Deputetët do të mblidhen sot sërish në përpjekje për të konstituuar kuvendin. Edhe pse janë zgjedhur kryetari i kuvendit dhe katër nënkryetarë, procesi i konstituimit ka mbetur i papërfunduar për shkak të pamundësisë për të zgjedhur nënkryetarin nga komuniteti serb.
Deputeti nga radhët e VV-së Hekuran Murati ka thënë se kuvendi sot e ka mundësinë të përmbyllë procesin e konstituimit duke zgjedhur edhe nënkryetarin e 5-të që sipas Kushtetutës duhet të jetë nga komuniteti serb.
Sipas tij para deputetëve janë dy opsione, të zgjedhin njërin nga 9 deputetët e Listës Serbe, që nëkupton dikush i dirigjuar nga terroristi Milan Radojçiq në kryesi të kuvendit, apo të zgjedhin një deputet si Nenad Rashiq që nuk është nga Lista Serbe.
Ndërsa ka thënë se VV-ja e ka bërë të qartë se vota e tyre është kundër për cilindo nga Lista Serbe, e cila punon kundër Republikës së Kosovës dhe se i vetmi opsion për ta mbetet Nenad Rashiq.
“Ne e kemi bërë të qartë që për cilindo nga Lista Serbe, e cila punon kundër Republikës së Kosovës, vota jonë është kundër. Prandaj i vetmi opsion që mbetet për t’u zgjedhur nënkryetar i kuvendit është z. Rashiq. Për cilin opsion janë deputetët e opozitës”, ka shkruar Murati në Facebook.