Haradinaj: Ndërhyrja në procedurën e votimit për nënkryetarin serb – jokushtetuese, kritika edhe Abdixhikut

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka konsideruar jokushtetuese ndarjen e votimit për zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit të Kosovës nga komunitetet joshumicë. Sipas tij, zgjedhja e nënkryetarëve nga komunitetet joshumicë është dashur të bëhet në pako.
Haradinaj i cili doli nga seanca e sotme para se të hidhen në votim kandidatët për nënkryetar të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, tha se Kurti qëllimshëm po tenton të vazhdojë zvarritjen e konstituimit të Kuvendit, në mënyrë që të vazhdojë të jetë si kryeministër në detyrë.
“Ne kemi ardhë në seancë që të zbatohet procedura e njohur. Ka ndodhur ndërhyrje në procedurë në mënyrën e votimit për kandidatët për Kryesi të Kuvendit nga komunitetet jo shumicë. Ndërhyrja në procedurë është jokushtetuese. Pra, ne kemi përvojë paraprake që na obligoi Gjykata Kushtetuese me u kthye në procedurë dhe që me respektu Rregulloren e Kuvendi. Është problem me u bë pjesë e kësaj loje në vazhdimësi. Qëllimi është vetëm me e humbë kohën me shkelje kushtetuese, qoftë edhe me rezultat jokushtetues në mënyrë që me i fitu edhe dy-tre muaj kohë që Kurti me vazhdu me mbetë ushtrues detyre i kryetarit të Qeverisë. Ai e ka në dorë ai po e bën këtë”, tha ai.
Ai adresoi kritika sërish për Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe kryetarin e saj, Lumir Abdixhiku.
“Nuk ka fajësi Aleanca, me numrin e votave që ka i ka kryer detyrat e veta. I është drejtuar gjykatës dhe ka marrë veprimet e veta. Kanë fajësi ata që po vendnumërojnë dhe ata që janë bërë shkaktar që opozita të mos jetë e bashkuar dhe mos të kenë një shumicë të vetën”, tha Haradinaj.
Ndërkaq, për një hulumtim në bashkautorësi të kryetarit të ri të Kuvendit, Dimal Basha, i cili fliste kundër UÇK-së, Haradinaj tha se e ka thënë me kohë që Vetëvendosje s’i shërben agjendës së Kosovës.
“Sa i përket shkrimeve të Dimalit dhe atyre, ju e dini se qëndrimet i kam të qarta se nuk i shërbejnë agjendës së Kosovës këta njerëz, e kam deklaruar me kohë. Ka edhe shumë tjerë që në momente të caktuara kanë sulmuar UÇK-në, ju e dini sa i sulmuar kam qenë dhe jam kohë pas kohe. T’ju them të drejtën nuk më bëjnë shumë përshtypje këto më. Nuk mund të ankohemi pasi të ndodhë. Ne duhet më herët të marrim masat që të mos lejohen njerëz të tillë. P.sh pse të certifikohet dikush që ka thye një vlerë kombëtare. Është dashur herët këto procedura, pasi s’mund të thuash tash është deputet, po s’bën me qenë kryetar Kuvendi. Si i ka kaluar të gjitha këto procedurat ligjore”, tha ai.