Von der Leyen: Putini është grabitqar, mund të ndalet vetëm me parandalim të fortë

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe kryeministri polak Donald Tusk mbërritën në kufirin polako-bjellorus të dielën, ku, ndër të tjerash kanë diskutuar për mbrojtjen dhe sigurinë.
Shefja e KE-së siguroi Tuskun dhe popullin polak për “solidaritetin e plotë të Evropës me Poloninë si një shtet në vijën e parë”, dhe theksoi rëndësinë e ushtrimit të presionit të vazhdueshëm ndaj presidentit rus Vladimir Putin.
“Putini nuk ka ndryshuar dhe nuk do të ndryshojë. Ai është një grabitqar”, tha presidentja e Komisionit Evropian, duke shtuar se “ai mund të mbahet nën kontroll vetëm përmes parandalimit të fortë”.
Udhëtimi i Von der Leyen në Poloni vjen si pjesë e turneut të saj katër-ditor në shtetet evropiane që kufizohen me Rusinë ose aleatin e saj Bjellorusinë, që synon të theksojë solidaritetin me shtetet kufitare dhe të mbështesë zhvillimin e industrisë mbrojtëse të Evropës.
Dyshja vizitoi kufirin polako-bjellorus në një shfaqje mbështetjeje për Poloninë dhe shtetet e tjera në krahun lindor të BE-së.
Kufiri ka shkaktuar polemika të mëdha që nga fillimi i një krize migracioni në vitin 2021, të cilën Polonia e ka përshkruar si “luftë hibride” të orkestruar nga Bjellorusia.
“Ky është kufiri që duhet të ruajmë, në të cilin duhet të investojmë edhe para evropiane”, ka thënë Tusk.
Tusk zbuloi gjithashtu planet e Polonisë për investime të ardhshme ushtarake.
“Polonia do të investojë 200 miliardë PLN (rreth 47 miliardë) në mbrojtje vitin e ardhshëm, në industrinë e mbrojtjes dhe në ushtrinë polake. Pra, ne i marrim seriozisht përgjegjësitë tona dhe presim që të gjitha institucionet dhe vendet në Evropë ta marrin sigurinë e kufirit lindor po aq seriozisht dhe të mbajnë një qëndrim të ashpër kundër agresorit dhe kundër Rusisë”, tha ai.