75 Mall Live Search
11:12 / E Martë, 02 Shtator 2025 / SH

Kryebashkiaku kërkon shtyrjen e ndeshjes Itali-Izrael, ja arsyeja

Ndeshja kualifikuese e Kupës së Botës midis Italisë dhe Izraelit, e planifikuar të zhvillohet më 14 tetor në stadiumin e Udines, është vënë në pikëpyetje për shkak të tensioneve të krijuara nga situata humanitare në Rripin e Gazës.

Kryebashkiaku i Udines, Alberto Felice De Toni, në një intervistë për Rai TgR Friuli Venezia Giulia, u shpreh se zhvillimi i kësaj ndeshjeje në këtë periudhë është “i papërshtatshëm” dhe kërkoi shtyrjen e saj për arsye sigurie dhe rendi publik.

“Duke pasur parasysh krizën humanitare, organizimi i një ndeshjeje të tillë në këtë moment nuk është i menduar mirë. Të mos nxisim polemika, nuk është rasti”, deklaroi De Toni, duke sugjeruar që ndeshja të shtyhet për një moment më të qetë.

Megjithatë, sipas autoriteteve të rendit, kompetencat për zhvillimin e takimit i përkasin Ministrisë së Brendshme, e cila deri tani nuk ka dhënë sinjale për shtyrjen e tij.

De Toni kujtoi gjithashtu edhe protestat e vitit të kaluar gjatë një ndeshjeje të Ligës së Kombeve, duke paralajmëruar se një situatë e ngjashme mund të përsëritet.

“Pati protesta një vit më parë dhe pas një muaji e gjysmë me siguri do të ketë përsëri”, theksoi ai.