Kërkohej nga autoritetet gjermane, ndalohet 55-vjeçari serb në Morinë

Një 55-vjeçar serb, që po kërkohej nga autoritetet gjermane për krime ekonomike, është ndaluar në Morinë nga policia shqiptare.
Policia e shtetit tha se nga verifikimet e kryera dhe nga informacioni i shkëmbyer me partnerët gjermanë, nëpërmjet Interpol Tiranës, rezultoi se ai ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, me masë sigurie “Arrest në burg” nga Gjykata e Mainzit, për evazion fiskal dhe përfitim të kundërligjshëm të pagave/shpërblimeve të të tjerëve.
“Tentoi të hynte në Republikën e Shqipërisë, ndërkohë që kërkohej nga autoritetet gjermane, për krime ekonomike, ndalohet 55-vjeçari serb. Si rezultat i kontrolleve dhe verifikimeve të imtësishme në hyrje/dalje, me objektiva goditjen e paligjshmërive në kufi, si dhe ndalimin e shtetasve të shpallur në kërkim, të cilët tentojnë të lëvizin ilegalisht, për t’iu shmangur përgjegjësisë penale, shërbimet e policisë kufitare të Morinës, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Kukës, ndaluan në hyrje, shtetasin serb G. S., 55 vjeç”, thuhet në njoftim.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët në Gjermani, po vijojnë procedurat për ekstradimin e 55-vjeçarit./Indeksonline/