75 Mall Live Search
14:13 / E Martë, 02 Shtator 2025 / Z S

Bislimi u takua me ministrin e Çështjeve Evropiane të Finlandës, flasin për integrimin evropian

Zëvendëskryeministri i parë në detyrë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, pati një takim bilateral me ministrin e Çështjeve Evropiane të Finlandës, Joakim Strand.

Në këtë takim është diskutuar lidhur me synimin e Kosovës për avancim në rrugëtimin drejt integrimit evropian.

‘’Ky takim u zhvillua në margjina të organizimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Danimarkës dhe tryezave të diskutimit në nivel të ministrave për çështje evropiane e ku marrin pjesë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, vendet kandidate dhe ato potenciale për marrjen e statusit kandidat. Zëvendëskryeministri shprehu mirënjohjen ndaj Finlandës për partneritetin e ngushtë dhe mbështetjen ndaj shtetit tonë. Theksoi synimin e Kosovës për avancim në rrugëtimin drejt integrimit evropian, me hapin e radhës që duhet të jetë marrja e statusit të vendit kandidat dhe pranimi i pyetësorit. Shtoi se rruga drejt anëtarësimit në BE duhet të jetë e bazuar në principe, kritere, vlera dhe meritokraci’’, thuhet në njoftim.

Po ashtu gjatë takimit, Bislimi nënvizoi se Kosova ka shënuar progres të dëshmuar dhe nga matjet e indekseve ndërkombëtare, gjersa e falënderoi Finlandën për përkrahjen edhe rreth anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës./Indeksonline/