Thellohet bilanci pas tërmetit në Afganistan/ Mbi 1400 viktima dhe mijëra të plagosur

Dy tërmete të fuqishme goditën provincat lindore të Afganistanit brenda pak ditësh, duke shkaktuar shkatërrim të madh dhe një bilanc tragjik viktimash. Autoritetet raportojnë mbi 1,400 të vdekur, mijëra të plagosur dhe dhjetëra fshatra të shkatërruar.
Pas të dielës ku një tërmet me magnitudë 6 goditi provincën Kunar të dielën në mesnatë, duke rrafshuar të paktën tre fshatra dhe duke izoluar shumë zona malore pranë kufirit me Pakistanin. Vetëm dy ditë më pas, këtë të martë, një tërmet tjetër me magnitudë 5.5, po në një thellësi të cekët, tronditi sërish rajonin, duke shtuar dëmet dhe numrin e viktimave.
Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Sharafat Zaman, tha: “Shumë njerëz kanë mbetur ende nën rrënoja. Ne kemi nevojë urgjente për ndihmë ndërkombëtare, pasi shumë familje humbën gjithçka.”
Pamjet nga terreni tregojnë fshatra të rrafshuara, banorë që gërmojnë me duar në rrënoja dhe viktima të mbështjella me qefin e bardhë për t’u varrosur. Helikopterët kanë transportuar dhjetëra të plagosur drejt spitaleve, ndërsa ekipet lokale dhe banorët përpiqen të shpëtojnë të mbijetuarit.
Organizatat humanitare paralajmërojnë për mungesë ushqimi, ujë të pijshëm dhe rrezik epidemish. “Kjo është një garë me kohën për të shpëtuar jetë,” tha Save the Children.
Ekspertët ndërkombëtarë kanë bërë thirrje komunitetit global për mobilizim urgjent, duke theksuar se kapacitetet e shpëtimit në Afganistan janë minimale. Britania njoftoi mbështetje emergjente për të prekurit, ndërsa Shtetet e Bashkuara shprehën ngushëllime, pa bërë ende të ditur nëse do të dërgojnë ndihma.
Kjo tragjedi ndodh në një vend tashmë të goditur nga krizat ekonomike, mungesa e ndihmës ndërkombëtare dhe politikat kufizuese të regjimit taleban, duke e bërë situatën edhe më dramatike për banorët e prekur.