NASA zbulon një surprizë në zemër të Marsit

Anija kozmike InSight e NASA-s ka zbuluar një masë të ngurtë me diametër rreth 600 kilometra në thellësi të planetit Mars.
Zbulimi jo vetëm që bie ndesh me njohuritë e mëparshme për një bërthamë plotësisht të lëngshme, por gjithashtu nuk përputhet me kuptimin aktual të përbërjes së saj, shkruan ScienceAlert.
Ekipi i udhëhequr nga sizmologu Huixing Bi nga Universiteti i Shkencës dhe Teknologjisë i Kinës, tha se është e pazakontë që Marsi të ketë një bërthamë të ngurtë.
“Hulumtimet e hershme sugjeruan që bërthama e Marsit përmban një sasi të konsiderueshme elementësh të lehtë, gjë që ul temperaturën e bërthamës dhe e bën të pamundur që ajo të kristalizohet për shkak të temperaturës së saj relativisht të lartë”.
Sonda InSight përdori një sizmometër jashtëzakonisht të ndjeshëm për të regjistruar valët nga tërmetet dhe ndikimet e meteoritëve nga 2018-2022 në Mars. Këto valë, duke u përplasur në brendësinë e planetit, reagojnë ndryshe në varësi të dendësisë së materialit, duke krijuar një lloj “rrezet X” akustike të Marsit.
Të dhënat e mbledhura kanë siguruar hartën e parë të detajuar të brendësisë së Marsit, duke zbuluar një strukturë të ngjashme me atë të Tokës – një kore të fortë, një mantel të shkrirë dhe një bërthamë të dendur në qendër.
“Ndryshe nga Toka, Marsi nuk ka një fushë magnetike globale sot. Në vend të kësaj, pjesë të kores së tij janë të magnetizuara fort, gjë që na tregon se Marsi dikur kishte një fushë magnetike në të kaluarën e largët”, thanë studiuesit.
Fusha magnetike globale e planetit drejtohet nga një “dinamo” në bërthamën e tij, e cila mbështetet në konveksionin në bërthamën e jashtme të lëngshme.
“Ky mekanizëm besohet se luan një rol të rëndësishëm në ruajtjen e fushës magnetike të Tokës sot. Në të kundërt, gjërat duket se funksionojnë ndryshe për Marsin”, shtuan ata.
Se si saktësisht mund të ekzistojë një bërthamë e fortë pavarësisht temperaturës së lartë dhe pranisë së elementëve më të lehtë si squfuri, oksigjeni dhe karboni mbetet e paqartë.
Hulumtime të mëtejshme mund të çojnë në njohuri më të thella se si Marsi humbi dinamon dhe fushën magnetike globale, si dhe të zbulojnë detaje të reja rreth evolucionit të planetëve shkëmborë, ata që besohet se kanë potencialin më të madh për zhvillimin e jetës.