75 Mall Live Search
11:51 / E Premte, 05 Shtator 2025 / KV

Aksion i madh në 5 komuna: Siguria në punë nën lupën e Prokurorisë së Pejës

Prokuroria Themelore e Pejës ka filluar sot një aksion të gjerë në disa komuna të vendit, që ka të bëjë me sigurinë e punëtorëve në vendin e punës.

Zëdhënësi i prokurorisë, Shkodran Nikqi, ka konfirmuar për IndeksOnlinen se në këtë operacion janë angazhuar nëntë prokurorë të shtetit, kryeprokurorja, Policia e Kosovës si edhe institucione të tjera relevante.

“Aksioni është ende në zhvillim”, ka deklaruar Nikqi.

Sipas burimeve të IndeksOnlinet, aksioni lidhet me kompani ndërtimi dhe kushtet e sigurisë së punëtorëve.

Vetëm në Klinë deri tani janë kryer katër kontrolle në objekte në ndërtim e sipër.

Aksioni po zhvillohet në pesë komuna dhe pritet që në përfundim të tij, prokuroria dhe policia të dalin me informacione të detajuara, përfshirë edhe të dhëna për arrestimin e mundshëm të personave të dyshuar.

Ky aksion vjen pas rasteve të shumta tragjike të shënuara gjatë këtij viti, ku disa punëtorë kanë humbur jetën për shkak të mungesës së kushteve dhe sigurisë në punë./IndeksOnline/