75 Mall Live Search
22:18 / E Shtunë, 06 Shtator 2025 / MSH

Tronditet Shkupi: I mituri tentoi të vriste babanë e tij, i shkaktoi 10 plagë me objekt të mprehtë

Një prokuror publik nga Prokuroria Themelore Publike në Shkup paraqiti një kërkesë për të filluar procedurë përgatitore kundër një 17-vjeçari të dyshuar për tentativë vrasjeje.

Sipas informacioneve nga Prokuroria Publike, i mituri ka kryer dhunë në familje ndaj babait të tij në shtëpinë e tij në rrugën “Hristijan Todorovski Karposh” në Shkup.

Ndërsa babai ishte në dhomën e gjumit, djali i është afruar nga prapa dhe i ka shkaktuar dhjetë plagë me një objekt të mprehtë, raporton AlsatMk.

Nëna, e cila ishte aty pranë, arriti ta shtynte djalin e saj larg dhe menjëherë thirri ndihmën e shpejtë mjekësore.

Babai u transportua në Qendrën Klinike Nënë Tereza, ku ndodhet në gjendje të rëndë për jetën pas një ndërhyrjeje kirurgjikale.

Prokuroria kërkoi gjithashtu një urdhër ndalimi për të miturin.