75 Mall Live Search
21:42 / E Diele, 07 Shtator 2025 / MSH

Eklipsi hënor mahnit botën/ “Hëna e gjakut” ndriçon qiellin e Azisë

Një eklips i plotë hënor, i njohur ndryshe edhe si “Hëna e gjakut” për shkak të ngjyrës së kuqe të hijes që e mbulon, ndodhi natën e së dielës dhe në orët e para të mëngjesit të së hënës, sipas orës lokale.

Ky ishte eklipsi i dytë i plotë hënor për këtë vit, dhe kësaj here, Azia pati pamjen më të mirë të këtij spektakli qiellor. Banorët e qyteteve të Lindjes së Mesme si Dubai, Jerusalemi dhe Bagdadi përjetuan një pamje mbresëlënëse, ndërsa hija e Tokës mbuloi hënën e plotë, në një linjë të përsosur mes Diellit dhe Hënës.

Spektakli zgjati një orë e 22 minuta, ndërsa gjithë procesi – nga kafshimi i parë i hënës deri në rikthimin e saj të plotë – zgjati mbi pesë orë.

Në muajin mars, një tjetër eklips hënor, por më i shkurtër, ishte i dukshëm kryesisht në kontinentin Amerikan.

Këtë herë, i gjithë eklipsi ishte i dukshëm në një zonë të gjerë të Azisë – nga Arabia Saudite deri në Filipine, nga Oqeani Arktik deri në Antarktidë – si dhe në disa pjesë të Afrikës Lindore dhe në gjysmën perëndimore të Australisë.

Pjesë të tjera të Afrikës, Australisë dhe Evropës patën mundësinë të shohin vetëm faza të pjesshme të këtij fenomeni. Disa momente të eklipsit ishin të dukshme edhe nga bregdeti i Brazilit dhe një pjesë e Alaskës. Ndërkohë, dy javë pas këtij eklipsi, një eklips diellor i pjesshëm pritet të jetë i dukshëm nga Zelanda e Re, një pjesë e vogël e Australisë dhe Antarktida.