75 Mall Live Search
22:10 / E Diele, 07 Shtator 2025 / MSH

Guxo garon në zgjedhje me 4 kandidatë për kryetarë komunash

Kryetarja e Guxo-s, Donika Gërvalla, ka njoftuar se partia e saj do t’i hyjë garës për zgjedhje lokale me katër kandidatë për kryetarë komunash.

Nga radhët e Guxo-s kandidojnë 207 kandidatë për asambletë e komunave të Republikës së Kosovës, shkruan IndeksOnline.

“Me këtë përfaqësim dinjitoz, Guxo synon të sjellë më shumë zhvillim, më shumë transparencë, llogaridhënie, integritet, kreativitet dhe energji të re në qeverisjen komunale, duke e kthyer besimin dhe mendimin e qytetarëve në qendër të vendimmarrjes” shkroi Gërvalla, në një postim në Facebook.

Ajo u shpreh se ekipi i Guxo-s është me njerëz të përgatitur e të përkushtuar, që vijnë nga profile të ndryshme profesionale dhe shoqërore.

Ky është njoftimi i plotë i saj:

Në Zgjedhjet Lokale të 12 Tetorit, Partia Guxo garon me 4 kandidatë për kryetarë komunash dhe 207 kandidatë për asambletë komunale.

Ekipi ynë është plot me njerëz të përgatitur dhe të përkushtuar, që vijnë nga profile të ndryshme profesionale e shoqërore, por kanë të njëjtin vizion, për komunitetin e tyre, për komunën e tyre, për Kosovën tonë.

Me këtë përfaqësim dinjitoz, Guxo synon të sjellë më shumë zhvillim, më shumë transparencë, llogaridhënie, integritet, kreativitet dhe energji të re në qeverisjen komunale, duke e kthyer besimin dhe mendimin e qytetarëve në qendër të vendimmarrjes.

12 Tetori do të jetë dëshmia se guximi, përkushtimi e vendosmëria për punë të mira e qëllime të drejta shpërblehet me fitore.

Suksese të gjithëve e na priftë e mbara!