75 Mall Live Search
12:56 / E Martë, 09 Shtator 2025 / H F

Osmani për gjyqtarin Laban: Mora të gjitha masat, nuk jam as prokurori e as polici t’ia lidh duart

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme lidhur me gjyqtarin Laban, brenda kompetencave të saj.
Ajo sqaroi se roli i gjyqtarit raportues ndryshon nga ai i anëtarit me të drejtë vote dhe se në rastin konkret Laban nuk është gjyqtari drejtues.

“Sa i përket gjyqtarit Laban, siç e kam sqaruar në të kaluarën, është krejt tjetër të jesh gjyqtar raportues në një rast dhe është krejt tjetër të jesh anëtar ku ke të drejtën e vetëm një vote. Të gjithë e dimë praktikën e vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese. Në shumicën dërrmuese të rasteve, miratohet nga shumica e raportit; gjyqtari raportues i jep drejtim lëndës. Në këtë rast, nuk është Labani gjyqtari drejtues, por dikush tjetër,” deklaroi Osmani.

Ajo tha se ka informuar institucionet përkatëse për çdo provë që është paraqitur, por shtoi se nuk është në rolin e prokurorisë apo policisë.

“Sa i përket gjyqtarit, kam ndërmarrë të gjitha masat në kompetencat e mia, i kam informuar gjykatën për këto prova, sa vijnë dhe shtohen. Nuk jam as polici e as prokurori me ia lidh dikujt duart. Unë i shpreh shqetësimet, i informoj institucionet, prokuroria dhe policia e kanë detyrën e vet dhe nuk ndërhyj në punën e tyre, por gjithçka çka është dashur të dinë”, tha ajo.