75 Mall Live Search
12:58 / E Martë, 09 Shtator 2025 / Z S

“Aksioni i shembjes do vijojë gjatë gjithë mandatit”, Rama prezanton paketën e re ligjore për mbrojtjen e territorit

Ashtu siç ishte paralajmëruar gjatë nisjes së aksionit për lirimin e hapësirave publike nga kryeministri Edi Rama, qeveria ka përgatitur një paketë të re me masa ligjore për mbrojtjen e pronës dhe territorit.

Gjatë prezantimit të paketës, kryeministri Rama tha se paketa e re nuk është e përkryer por do të krijojë instrumente për ta mbrojtur hapësirën publike.

Sipas Ramës aksioni i nisur gjatë verës do të vijojë gjatë gjithë mandatit të katërt, raporton A2CNN.

“Për këtë paketë të re ligjore që do të prezantojmë është punuar me shumë intensitet nga një grup i gjerë ekspertësh, juristësh dhe me ndihmën e disa deputetëve që kanë pasur një aktivitet të lidhur me komisionin e ligjeve. Dua t’i falënderoj të gjithë ata që kanë marrë pjesë në këtë punë që është zhvilluar gradualisht gjatë gjithë periudhës së verës dhe besoj shumë që duke bërë parantezën që pa diskutim nuk është asgjë e përkryer, as kjo paketë nuk është e përkryer, por është një tërësi masash që do të na japin mundësinë të kemi në dorë instrumente të reja për të mbrojtur territorin, duke filluar nga suksesi përfundimtar i një ofensive që po do të zgjasë aq sa të jetë e nevojshme, ndoshta gjatë gjithë mandatit të ri, për ndalimin pa kthim të çdo shfrytëzimi për të ndërtuar pa leje, duke vazhduar deri te mbrojtja e autorësisë së projekteve arkitektonike, të cilat gjatë gjithë kësaj kohe që kur në Shqipëri ka filluar të ndërtohet, janë deformuar dhe përdhunuar në formën e tyre nga ndërhyrja e ndërtuesve, gjë që sigurisht i kthen në praktikisht pothuajse formale vendimmarrjet që marrin njësitë përkatëse të qeverisjes vendore. Dhe një tjetër pasojë e konsiderueshme mashtrimi që iu bëhet blerësve duke iu shitur objekte që kanë marrë leje me pamjet e lejes të paraqitura”, tha Rama./Indeksonline/