75 Mall Live Search
13:44 / E Martë, 09 Shtator 2025 / AR

Si e kontrollojnë mikrobet gjumin tonë

Shkencëtarët po zbulojnë se bakteret dhe mikrobet që jetojnë në zorrë dhe në gojë mund të luajnë një rol vendimtar në cilësinë e gjumit. Studimet e fundit tregojnë se larmia e mikrobeve në trup lidhet ngushtë me mënyrën si flemë: më shumë larmi, gjumë më i mirë; më pak larmi, rrezik për pagjumësi, diabet, obezitet dhe probleme kardiake.

Studime te të rinjtë kanë treguar se ata që kishin më shumë larmi bakteriale në gojë flinin më gjatë.

Pacientët me pagjumësi kishin më pak larmi mikrobiale në zorrë, gjë që lidhet me imunitet më të dobët.

Personat që ndryshe e kishin orarin e gjumit në javë dhe fundjavë kishin mikrobiome shumë të ndryshme nga ata me gjumë të rregullt.
Shkencëtarët mendojnë se kjo lidhje është dyanshme: jo vetëm që gjumi i dobët dëmton mikrobiomen, por edhe mikrobet e paekuilibruara mund të prishin gjumin duke ndikuar në ritmet cirkadiane dhe në prodhimin e substancave që ndikojnë trurin (si serotonina, dopamina dhe acide yndyrore të shkurtra).

Eksperimente me transplant fekal te minjtë treguan se mikrobet nga persona me pagjumësi u shkaktuan edhe minjve probleme gjumi dhe metabolike. Edhe disa studime të vogla në Kinë treguan përmirësim të gjumit pas transplantit fekal te pacientë me pagjumësi kronike, perkthen dritare.net.

Gjithashtu, dieta ka ndikim: konsumi i lartë i yndyrave dhe sheqernave ndikon negativisht te gjumi dhe në mikrobiomë, ndërsa prebiotikë të caktuar po testohen si ndihmues për gjumin. Një provë me studentë tregoi se probiotiku Lactobacillus casei Shirota përmirësoi gjumin në periudha stresi.

Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se nevojiten studime më të mëdha përpara se probiotikët të rekomandohen si terapi standarde. Për momentin, trajtimet e provuara si terapia kognitive e sjelljes (CBT) dhe medikamentet mbeten më të sigurta.