75 Mall Live Search
10:39 / E Mërkurë, 10 Shtator 2025 / KV

KEDS ua përmirëson jetën mbi 100 banorëve në Maxhunaj të Vushtrrisë

KEDS ka përfunduar me sukses një projekt të rëndësishëm në fshatin Maxhunaj të Vushtrrisë, duke instaluar një transformator të ri me rrjet përcjellës të tensionit të ulët dhe të mesëm. Ky investim ka sjellë një ndryshim të ndjeshëm në cilësinë e shërbimeve energjetike për mbi 100 banorë të kësaj zone, të cilët tashmë gëzojnë furnizim stabil dhe të sigurt.

Ky hap përfaqëson vazhdimësinë e përkushtimit të KEDS-it për të përmirësuar rrjetin elektrik në çdo cep të vendit, duke eliminuar problemet e mbingarkesave dhe interferimin e faktorëve natyrorë që shkaktonin vështirësi në furnizim. Banorët e Maxhunajt prej kohësh kishin hasur në probleme, të cilat e ulnin kualitetin e jetës për ta.

Ndryshimin madhor pas investimit të KEDS e pohojnë edhe konsumatorët e asaj pjese. Nazmi Proni, banor i fshatit, shprehet i kënaqur me këtë ndërhyrje.

“Na keni pshtu! Përpara, pajisjet nuk na funksiononin. Tash gjithçka punon qysh duhet. Na keni nxjerrë në dritë”, tha Proni, xehetar në KEK, duke përmbledhur ndjesinë e banorëve të shumtë që tashmë përfitojnë nga ky projekt.

Projekti është realizuar nga ekipet e mirëmbajtjes së KEDS-it, të cilat me profesionalizëm kanë përfunduar punimet pa penguar përditshmërinë e banorëve. Vendosja e transformatorit dhe rrjetit përcjellës të ri do të sigurojë një stabilitet afatgjatë në furnizim, duke kontribuar në rritjen e cilësisë së jetesës dhe duke ofruar bazë më të mirë për zhvillim ekonomik lokal.

KEDS mbetet i përkushtuar që me projekte të tilla të avancojë infrastrukturën energjetike në Kosovë, duke garantuar që çdo konsumator të ketë shërbime moderne, të sigurta dhe të qëndrueshme.