Askush nga palët në seancë, dështon gjykimi për kanosje

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë të mërkurën, në mungesë të palëve në procedurë, ka dështuar të mbahet shqyrtimi fillestar ndaj B.B., dhe B.B., të cilët po akuzohen se kanë kanosur tani të dëmtuarin B.B.
Gjyqtari i rastit, Albert Haliti konstatoi se në seancë nuk janë të pranishëm dy të akuzuarit, edhe pse ndaj tyre ishte lëshuar urdhëresë që të shoqëroheshin në Gjykatë nga Policia e Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”
Lidhur me këtë, gjyqtari Haliti njoftoi se kanë kontaktuar Policinë e Kosovës, e cila mosekzekutimin e urdhëresës e ka arsyetuar me atë se dy të akuzuarit nuk janë gjetur në vendbanimin e tyre sipas adresës.
Po ashtu, në shqyrtim fillestar nuk ishte i pranishëm as prokurori i shtetit, edhe pse gjyqtari konstatoi se nga seanca e kaluar ishin njoftuar përmes procesverbalit lidhur me këtë seancë, ndërsa për të dëmtuarin B.B, gjyqtari njoftoi se e ka pranuar ftesën nga Gjykata, mirëpo mungesën nuk e ka arsyetuar.
Andaj, në mungesë të kushteve ligjore për mbajtjen e seancës, gjyqtari Haliti ndërpreu seancën e sotme, ndërsa të radhës e caktoi për një datë tjetër.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të ngritur më 25 nëntor 2020, të pandehurit B.B., dhe B.B., akuzohen se më 27 gusht 2020 në bashkëkryerje, me qëllim të frikësimit, e kanë kanosur seriozisht të dëmtuarin B.B. Pas një mosmarrëveshje me të dëmtuarin, ngarkohen se e kanë kontaktuar fqinjin e tyre Sh.B, në mënyrë që ai t’ia transmetojë fjalët e tyre te dëmtuarit “B.B., ma ka mbytur fëmijën dhe ma ka një gjak borxh”.
Aktakuza thotë se personi Sh.B., më pas e ka kontaktuar në telefon të dëmtuarin dhe ia ka përcjellë këto fjalë, me ç’rast tek i demtuari është shkaktuar ndjenja e frikës dhe pasigurisë për jetën.
Për këtë, po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Kanosja” në bashkëkryerje, nga neni 181, par. 2, lidhur me nenin 31, të Kodit Penal.