75 Mall Live Search
19:18 / E Mërkurë, 10 Shtator 2025 / Z S

Kuvendi i pakonstituuar e lë SBASHK-un pa dialog me Qeverinë

Javë më parë kishin paralajmëruar se do të hyjnë në grevë gjatë muajit shtator.

Ky veprim, sipas Sindikatës së Arsimit, do të ndërmirrej nëse nuk nis dialogu me Qeverinë.

Mirëpo, Kuvendi aktualisht vazhdon të jetë me masë të përkohshme.

Rrjedhimisht me moskonstituim, ende nuk i është hapur rrugë formimit të Qeverisë së re.

Kësisoj, nga SBASHK-u thonë se ende janë duke pritur institucionet e reja për të adresuar kërkesat që kanë.

Por sërish, SBASHK-u thonë se nuk do të lënë anash grevën e paralajmëruar.

“Uroj që çështjet që janë grumbulluar të zgjidhen me dialog por nëse jo pra nëse na vjen një qeveri e njëjta apo ngjashme e cila është kategorike kundër dialogut atëherë neve na mbetet ai elementi tjetër që është garantuar me kushtetutë dhe me ligj që të shkojmë me veprime sindikale”, tha Rrahman Jashari nga SBASHK-u.

E kërkesat e tyre, sipas Jasharajt, janë ato që kanë përsëritur deri më tani.

“Kërkesa e parë do të jetë nënshkrimi i kontratës kolektive që është e gatshme, kërkesë e dytë është që të ngritën vlera e koeficientit dhe të mos bëhet lojë me ligjin e pagave herë të ngritët koeficienti herë të ngritët vlera e koeficientit..Ne do të kërkojmë ngritje pagave që të jemi të përafërt me Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoninë,. Do të kërkojmë kushte të punës meqenëse me kushtet të punë  qe i kemi tani është e pamundur të arrijmë atë që dëshirojmë edhe ne që të jemi afër me të tjerët”, tha ai, raporton Teve1.

Këto kërkesa janë të arsyeshme sipas ekspertit të arsimit, Argjend Osmani.

Mirëpo, Osmani, në të njëjtën kohë thotë se grevat duhet të jenë mjeti i fundit që duhet të përdoren.

“Kërkesat që për mua janë të arsyeshme dhe të gjitha këto kërkesa nuk janë marrë parasysh për një kohë të gjatë nga MASHTI prandaj problemet kanë shkuar duke u grumbulluar pa ofruar zgjidhje. Do të vijë një moment që do të ketë shpërthim të pakënaqësive dhe atëherë pasojat do të jenë më të mëdha. Qeveria në ardhje shpresojmë që për dallim nga Qeveritë pak ose aspak i kanë trajtuar kërkesat e mësimdhënësve duhet të jetë me e përgjegjshme dhe të jetë më afër popullit”, thotw Osmani.

Sindikata e Bashkuar e Arsimit ka shprehur vazhdimisht pakënaqësi edhe për mënyrën e subvencionimit të teksteve shkolloreve nga MASHTI./Indeksonline/