IGC2025 në Tiranë: Besnik Tahiri sjell forumin global për të ardhmen e qeverisjes

Liderë politikë, ambasadorë dhe ekspertë ndërkombëtarë diskutua mbi të ardhmen e qeverisjes; mes tyre edhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Në Tiranë ka nisur sot punimet Konferenca Ndërkombëtare e Qeverisjes 2025 (#IGC2025), një forum global që do të mbahet çdo vit dhe që synon të bëhet pikë referimi për diskutime të thella mbi të ardhmen e qeverisjes. Organizator i kësaj konference është Besnik Tahiri, ish-deputet dhe ekspert i qeverisjes, i cili theksoi se kjo nismë është një moment reflektimi, por edhe thirrje për veprim.
Tahiri në fjalën e tij paralajmëroi se “nëse qeverisja nuk pëson një ristrukturim të thellë, nga promotor i zhvillimit rrezikon të kthehet në pengesë”. Ai shtoi se përballë një bote ku ndryshimi është i përshpejtuar dhe kompleksiteti në rritje, institucionet duhet të jenë më fleksibël, më transparente dhe më efikase.
Në panelin e parë, me temën “Sfidat dhe mundësitë e qeverisjes në një botë që evoluon me shpejtësi”, dhanë mesazhe të qarta liderë dhe diplomatë të rëndësishëm:
• Kryeministri Edi Rama: “Lidershipi i vërtetë testohet në kohë krize, dhe koha jonë është pikërisht kjo provë.”
• Ambasadori britanik Nicholas Abbott: “Demokracia nuk eksportohet, ajo ndërtohet nga brenda.”
• Harry Hardman: “Shërbimet për qytetarët janë aseti ynë i vetëm dhe duhen ofruar me efikasitet.”
• Massimiliano Paoluçi: “Partneritetet publiko–private janë çelësi për zhvillim të qëndrueshëm.”
Sipas Besnik Tahirit, këto reflektime tregojnë qartë se “rigjallërimi i qeverisjes nuk është opsion, por domosdoshmëri”. Ai theksoi se sektori publik duhet të sfidojë vetveten për të funksionuar me efikasitet, llogaridhënie dhe inovacion të ngjashëm me sektorin privat, në të kundërtën rrezikon të mbetet pas.
“#IGC2025 është një hap drejt një epoke të re të qeverisjes, ku institucionet mësojnë, përshtaten dhe veprojnë me guxim,” përfundoi Tahiri./Indeksonline/