Tifozët nga Letonia pasi u sulmuan nga disa shqiptarë: I druheshim Serbisë, por qenka Shqipëria më keq!

Kombëtarja e Shqipërisë shënoi fitore minimale 1:0 ndaj Letonisë në ndeshjen e vlefshme për kualifikim në Kupën e Botës 2026.
Para ndeshjes, dy tifozë të moshuar letonezë u sulmuan nga disa shqiptarë, shkruan Indeksonline
Një prej tyre përfundoi në spital, kurse një grua rreth moshës 60-vjeçare u lëndua lehtë.

Gazetari Enriko Garbaj takoi dy tifozët që ishin sulmuar dhe u kërkoi falje, kurse ata thanë se Shqipëria nuk i priti aspak mirë dhe ishin të zhgënjyer.
“Dua që publikisht të kërkoj falje ndaj tifozëve letonezë për skenën e dhunshme të regjistruar përpara nisjes së ndeshjes, ku ata u sulmuan nga disa adoleshentë shqiptarë. Zonja është 60-vjeçare, nënë, gjyshe dhe një tifoze që ka shkelur në çdo stadium të Evropës. Krahu i saj është gjakosur, miku i saj është në spital… ‘I druheshim Serbisë, por qenka Shqipëria më keq’, më thanë. U ndjeva si m*t”, ka shkruar gazetari shqiptar, Enriko Garbaj
/Indeksonline/