75 Mall Live Search
14:35 / E Enjte, 11 Shtator 2025 / MSH

Dogana konfiskon ngarkesën me shufra çeliku, në Vërmicë

Dogana e Kosovës, gjatë kontrollit rutinor dhe mbikëqyrjes së mallrave që hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës, ka identifikuar një rast të mosdeklarimit të saktë të origjinës së produktit gjatë procedurave të importit në pikën doganore në Vërmicë.

Lajmin e ka bërë të ditur vet Dogana, që tregon se bëhet fjalë për konfiskim të një ngarkese me shufra çeliku të importuara me origjinë nga Turqia dhe Algjeria, shkruan IndeksOnline.

Mes të tjerash, në njoftim të Doganës thuhet:

Gjatë zhdoganimit të një ngarkese me mall të llojit material ndërtimor – shufra çeliku, e deklaruar me origjinë nga një shtet anëtar i Bashkimit Evropian, është vërejtur mospërputhje ndërmjet deklarimit dhe gjendjes faktike të produktit.

Gjatë kontrollit të dokumentacionit dhe inspektimit fizik të ngarkesës, zyrtarët doganorë kanë konstatuar se në etiketat dhe mbishkrimet e produktit figuronin shtete tjera si vende origjine, konkretisht Algjeria dhe Turqia.

Pas verifikimit të plotë, është konstatuar se produktet bartnin etiketa të qarta me shënime të origjinës nga vendet e lartpërmendura, si dhe mbishkrime të tjera identifikuese që lidhen me prodhues të atyre vendeve.

Mosdeklarimi i saktë i origjinës së mallit përbën shkelje të dispozitave ligjore në fuqi dhe mund të rezultojë në shmangie nga pagesa e plotë e detyrimeve doganore. Si rrjedhojë, ndaj palës është iniciuar procedurë kundërvajtëse në përputhje me nenin 244 të Kodit Doganor dhe Akcizës së Republikës së Kosovës.

No photo description available.
No photo description available.
May be an image of text