75 Mall Live Search
16:47 / E Enjte, 11 Shtator 2025 / P M

Policia sekuestron pesë thasë drogë në Mirditë, shpallen në kërkim tre persona

Policia në Shqipëri ka sekuestruar pesë thasë me të lëndë të dyshuar narkotike në Mirditë.

Sipas policisë, gjithsej u sekuestruan 38.8 kilogramë kanabis sativa, dhe dy automjete, derisa janë shpallur në kërkim tre persona.

“Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë, bazuar në informacionet që kishin siguruar për një rast të shitjes së lëndëve narkotike, kanë organizuar punën dhe mbrëmjen e djeshme kanë ndërhyrë në aksin rrugor “Shpal – Blinisht”, duke iu bërë shenjë për ndalim, 3 shtetasve që dyshohet se po transportonin lëndën narkotike, me 2 automjete. Sapo kanë konstatuar punonjësit e Policisë, 3 shtetasit kanë braktisur automjetet dhe duke përfituar nga errësira dhe nga terreni malor, kanë mundur të largohen”, thuhet në njoftimin e Policisë.

“Gjatë kontrollit në 2 automjetet, shërbimet e Policisë kanë gjetur 5 thasë më lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Staiva, me peshë totale 38.8 kilogramë. Në vijim të veprimeve procedurale, u identifikuan dhe u shpallën në kërkim shtetasit D. R., 40 vjeç, D. R., 35 vjeç, banues në Krujë (vëllezër) dhe M. Sh., 27 vjeç, banues në Fushë Arrëz, Pukë. Nga hetimet dyshohet se këta shtetas siguronin lëndë narkotike, me qëllim ndarjen dhe shitjen në sasi të vogla në qytet”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.