Është në një lidhje me bashkëshorten e mikut të tij të ndjerë Diogo Jotas? Plas SKANDALI në Portugali

Revista portugeze TV Guia ka shkaktuar një valë indinjate publike me kopertinën e saj të fundit, duke rikthyer në vëmendje humbjen tragjike të futbollistit Diogo Jota dhe vëllait të tij, André Silva, të cilët humbën jetën më 3 korrik në një aksident automobilistik.
Në vend që të përqendrohej te homazhet dhe dhimbja e familjes, revista zgjodhi të theksonte një afërsi të supozuar mes mikut më të ngushtë të Jotës, mesfushorit Ruben Neves, dhe vejushës së tij, Rute Cardoso.
Në faqen e parë, TV Guia publikoi titullin: “Ruben Neves dhe Rute. Të bashkuar pas vdekjes”, duke shoqëruar tekstin me një foto ku të dy shihen të përqafuar. Ky imazh, i nxjerrë jashtë kontekstit, u konsiderua një manipulim i rëndë dhe shkaktoi reagime të forta në rrjetet sociale.
“Nëse do të isha në vendin e tyre, do ta padisja këtë revistë. Një turp pa asnjë respekt për njerëzit”, shkroi një përdorues, mesazhi i të cilit u shpërnda mbi një milion herë.
Vetë Neves reagoi publikisht për të dënuar publikimin. Lojtari i Al-Hilal theksoi se fotoja ishte përdorur në mënyrë të padrejtë dhe u shpreh krenar për familjen e tij:
“Unë dhe gruaja ime, Débora Lourence, jemi bashkë prej 11 vitesh, të lumtur dhe krenarë për familjen që kemi. Kemi ndihmuar Ruten dhe familjen e saj me gjithë zemër. Zgjedhja e kësaj fotoje është e pafat dhe e turpshme. Respektoj ata që punojnë me ndershmëri, por jo ata që nuk respektojnë të tjerët,” shkroi ai në rrjete sociale.