UBT diplomon gjeneratën e re në një ceremoni mbresëlënëse

Me një organizim madhështor në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, UBT shënoi ceremoninë e diplomimit të studentëve, duke i dhuruar Kosovës profesionistë dhe ekspertë të rinj, të gatshëm për të kontribuar në fusha të ndryshme të jetës dhe zhvillimit shoqëror.
Të lumtur dhe entuziastë për arritjen e tyre profesionale, studentët përmbyllën me sukses një kapitull të rëndësishëm të jetës në nivelet bachelor dhe master, në programe si: Dizajn i Integruar, Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi, Media dhe Komunikim, Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri, Sistemet e Informacionit, Shkenca të Ushqimit dhe Bioteknologji, Inxhinieri e Agrikulturës dhe Mjedisit.
I emocionuar dhe krenar për suksesin e studentëve, rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, theksoi rëndësinë e këtij momenti si dëshmi e përkushtimit ndaj cilësisë në arsim dhe përgatitjes së kuadrove profesionale për tregun vendor dhe ndërkombëtar.
Pjesë e kësaj ceremonie ishte edhe ambasadori i Francës në Kosovë, z. Olivier Guérot, i cili me praninë e tij i dha ngjarjes një dimension ndërkombëtar dhe mbështetje për bashkëpunimet akademike ndërkombëtare.
Ceremonia u shoqërua me pika muzikore të përgatitura nga studentët e Fakultetit të Muzikës Moderne, Prodhimit Digjital dhe Menaxhimit. Kulmi i ceremonisë ishte momenti emocionues i hedhjes së kapelave, simbol i përfundimit të një periudhe të përkushtuar ndaj dijes, rritjes akademike dhe zhvillimit personal.