Përballja me drejtësinë, Gjiko flet për herë të parë mbi akuzat për abuzimin e një të miture

Për herë të parë pas përfundimit të procesit gjyqësor, reperi Gjiko ka folur hapur për akuzat e rënda që iu drejtuan ndaj tij për abuzim me një të mitur.
Në një intervistë për Top Channel, ai e përshkroi atë periudhë si më të vështirën që ka përjetuar ndonjëherë, jo vetëm vetë, por edhe e gjithë familja e tij.
“Ka qenë një vajzë pothuajse 18 vjeçare, ka qenë duke bashkëjetuar me dikë, ajo e ka thënë këtë në një deklaratë në polici por nuk ka pasur asnjë lidhje me mua,” tha ai. Sipas tij, e reja kishte qenë një fanse e zjarrtë dhe kishte insistuar të krijonte kontakt me të.
Gjiko tregoi se kishte prova konkrete në formën e mesazheve, ku ai i kishte kërkuar vajzës që ta linte të qetë dhe se nuk ishte i interesuar për asgjë më shumë. Këto fakte, sipas reperit, u morën në konsideratë nga gjykata, e cila vendosi në fund që ai dhe të gjithë të përfshirët në proces të shpalleshin të pafajshëm.
Artisti theksoi se kjo histori la gjurmë të thella, por se përfundimi i saj i dha fund një periudhe të rëndë për të dhe për familjen.