75 Mall Live Search
23:33 / E Diele, 14 Shtator 2025 / F.R

Hagë: Rubin dëshmon nesër pas protestës masive që u bë sot

Mijëra njerëz u mblodhën edhe në Hagë për të kërkuar drejtësi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. U kërkua reagim ndërkombëtar dhe u tha se akuzat ndaj ish-udhëheqësve shqiptarë të luftës në Kosovë e ofendojnë edhe NATO-n.

Protesta u mbajt një ditë para se avokatët e ish-krerëve të UÇK-së të nisin paraqitjen e provave të saj dhe dëshmitarëve.

Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po mbahen në paraburgimin e Gjykatës Speciale në Hagë, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit që pretendohet të jenë kryer gjatë luftës.

Mijëra qytetarë u mblodhën në një protestë sot në një park të madh në qendër të Hagës në Holandë, ku e ka selinë kjo gjykatë. Ata kërkuan drejtësi për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin, të cilët po përballen me një proces të stërzgjatur dhe të shumëkritikuar gjykimi, i cili duket se ka hyrë në fazën përfundimtare.

Protesta e sotme në Hagë pason atë të 7 gushtit, kur mijëra njerëz u mblodhën në Prishtinë për të njëjtin qëllim.

E sotmja, u mbajt një ditë para se avokatët e ish-krerëve të UÇK-së të nisin paraqitjen e provave të saj dhe dëshmitarëve.

Ish-ndihmësi i Sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, do ta nisë nesër dëshminë e tij para Speciales, në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së. Ai nuk është i vetmi mes emrave të njohur që pritet të dëshmojnë në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së.

Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi po qëndrojnë në paraburgim në Hagë që prej nëntorit të vitit 2020.