Memli Krasniqi: Dëshmia e James Rubin në Hagë, konfirmim i drejtësisë së luftës sonë çlirimtare

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar pas dëshmisë së dhënë sot në Hagë nga diplomati dhe ish-zyrtari i lartë amerikan, James Rubin, në mbrojtje të Presidentit Hashim Thaçi dhe bashkëluftëtarëve të tij.
“Jo rastësisht, populli ynë thotë: trimi i mirë me shokë shumë. Edhe sot, në një kohë kur bota ka nevojë për të vërtetën dhe historia për qartësi, në Hagë po dëshmon një mik i madh nga përtej Atlantikut”, ka deklaruar Krasniqi.
Ai ka theksuar se dëshmia e Rubin është e qartë dhe e bazuar në fakte të pakontestueshme, duke treguar drejtësinë e luftës çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, qëllimet e saj dhe përpjekjet e luftëtarëve për paqe e liri.
“Kjo dëshmi hedh poshtë të gjitha akuzat e Prokurorisë ndaj tyre”, tha ai. Krasniqi ka nënvizuar se shqiptarët, kudo që janë, sot kërkojnë vetëm drejtësi dhe asgjë më shumë. “Sepse me SHBA-të në krah, dhe assesi ndryshe, Kosova gjithmonë ka triumfuar mbi padrejtësitë dhe sfidat më të mëdha”, ka përfunduar ai.
Dëshmia e Rubin vjen në një moment vendimtar të procesit gjyqësor në Hagë, ku liderët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po mbrojnë drejtësinë e luftës së tyre për liri.