75 Mall Live Search
13:32 / E Hënë, 15 Shtator 2025 / S Z

​Mbi 400 asistentë të punësuar për fëmijët me nevoja të veçanta por nuk janë të mjaftueshëm

Ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka zhvilluar një vizitë në shkollën fillore “Mitrush Kuteli”, në Prishtinë, ku është takuar me prindërit e fëmijëve me nevoja të veçanta.

Gjatë takimit, ajo ka folur për përpjekjet e ministrisë për të përmirësuar përfshirjen e këtyre fëmijëve në sistemin arsimor, përmes punësimit të asistentëve dhe trajnimit të stafit arsimor.

Nagavci tha se deri më tani janë punësuar 422 asistentë dhe se kanë filluar planifikimet për rritjen e vendeve të punës edhe përtej 500, pasi që të plotësohet ky numër.

Në këtë drejtim kemi buxhetuar punësimin e 500 asistentëve të fëmijëve me nevoja të veçanta dhe përveç ndarjes së buxhetit dhe planifikimit të vendeve të punës, kemi punuar edhe në përgatitjen e kuadrove, një shtatë gjenerata të rinjve dhe të rejave që kanë përfunduar trajnimet sipas programit Birsen.. Kemi trajnuar një numër të konsiderueshëm të mësimdhënësve që të punojnë me planin individual arsimor për të gjithë fëmijët për një plan të veçantë. Në bazë të të dhënave që i kemi janë 422 të punësuar, pra ka akoma buxhet të ndarë për punësimin e asistentëve dhe kemi filluar planifikimet për rritjen e vendeve të punës edhe përtej 500”, tha Nagavci.

Nga ana tjetër, drejtoresha e shkollës “Mitrush Kuteli”, Remzije Racaj, vlerësoi përparimin që është bërë në drejtim të përfshirjes së fëmijëve me nevoja të veçanta, por theksoi se ka ende nevojë për më shumë mbështetje.

Viteve të fundit, shkolla jonë po fillon të kompletohet dalë ngadalë, kemi psikologen e shkollës, mësuesen mbështetëse dhe këtë vit kemi dy asistente. Nuk është e mjaftueshme për të gjithë fëmijët që i kemi, por po shihet që po punojnë këta fëmijë dhe kanë nevojë për asistente. Shkolla në planifikimet e veta ka edhe trajnime për gjithë përfshirjen brenda shkollës. Mundohemi që këta fëmijë që i kemi, t’i trajtojmë ashtu siç duhet”, tha Racaj.

Në këtë shkollë për momentin ka dy asistente, mësuese mbështetëse dhe psikologe të shkollës për fëmijët me nevoja të veçanta.