75 Mall Live Search
10:30 / E Martë, 16 Shtator 2025 / S Z

Mbrojtja thotë se Prokuroria qëllmshëm vonoi nxjerrjen e materialeve për dëshmitarët e parë të tyre

Mbrojtja e Hashim Thaçit, përmes avokatit Luka Mishetiq, ka thënë se Prokuroria qëllimshëm ka vonuar në nxjerrjen e materialit lidhur me dy dëshmitarët e parë të tyre, duke përfshirë edhe ato për James Rubin, i cili dëshminë e ka filluar më 15 shtator.

Mishetiq në parashtresën e dorëzuar më 13 shtator, tha se pasi ka mbaruar paraqitjen e provave të veta, Prokuroria po angazhohet në taktika të ashpra gjyqësore në prag të paraqitjes së provave të mbrojtjes, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Aty thuhet se qëllimshëm, Prokuroria nuk i ka zbuluar disa prova për mbrojtjen në kundërshtim me obligimet e saj. Sipas mbrojtjes, kjo është bërë me qëllim për të penguar aftësinë e tyre për të paraqitur rastin e vet të mbrojtjes.

Mbrojtja thotë se më 4 korrik ka dërguar një kërkesë për zbulim të materialeve sipas Rregullës 102 (3), duke ofruar një listë prej 21 emrash të rëndësishëm në këtë rast dhe duke kërkuar zbulimin e çdo deklarate- përfshrë ato zyrtare dhe jozytare të tyre.

Mbrojtja kishte thënë se iu duhen këto materiale sa më shpejtë që jetë e mundur përpara datës 21 korrik 2025.

Midis 4 korrikut dhe 11 shtatorit 2025, ZPS-ja zbuloi rreth 500 artikuj të përcaktuar si përgjigje ndaj kërkesës së mbrojtjes. Sipas mbrojtjes, gati 2/3 e këtyre artikujve u zbuluan vetëm më ose pas 29 gushtit 2025.

Kurse, më 11 shtator 2025, mbrojtja kishte njoftuar palët dhe pjesëmarrësit për rendin e deëshmitarëve për javën që fillon më 15 shtator. Sipas mbrojtjes, tri orë më vonë, Prokuroria zbuloi materiale të tjera që përmbanin 55 artikuj e që 36 prej tyre kishin të bënin me dy dëshmitarët e parë të mbrojtjes.

Më pas, 30 minuta më vonë, sipas mbrojtjes, Prokuroria kishte zbuluar edhe 30 materiale nga të cilat 25 ishin të rëndësishëm për dëshmitarin James Rubin dhe një i rëndësishëm për dëshmitarin pasues.

Më 12 shator, mbrojtja kishte kërkuar nga ZPS-ja që të konfirmojë se të gjitha materialet e zbuluara që lidhen me dëshmitarin e parë dhe të dytë kishin ardhur në posedim të Prokurorisë vetëm nga 1 shtatori 2025, duke kërkuar që në rast se ka, të tregojnë se cilat materiale i kanë pasur në dispozicion para 1 shtatorit.

Sipas mbrojtjes, përgjigja e Prokurorisë zbulon se ajo ka shkelur obligimin e saj për të zbuluar pa vonesa materialet për mbrojtjen.

Po ashtu, mbrojtja tha se Prokuroria kishte këmbëngulur se 24 nga 36 artikujt që lidhen me dy dëshmitarët e parë ishin të disponueshëm publik dhe dy të tjerët riprodhonin informacione që ishin publike.

“Më pas ZPS-ja konfirmoi se 24 nga artikujt e disponueshëm publikisht ishin marrë që nga 1 shtatori 2025, dhe 10 të tjerët ishin marrë midis 19 dhe 26 gushtit 2025. Dy artikujt që riprodhojnë informacion të disponueshëm publikisht janë ekstrakte të raporteve nga artikuj të tjerë që ishin në posedim të ZPS-së përpara 4 korrikut 2025, por ekstraktet e lidhura më pas u regjistruan më 26 gusht 2025”, thuhet në dokument.

Mbrojtja pretendon se ndonëse këto dokumente ishin në posedim të Prokurorisë, ato nuk u nxorën me kohë për mbrojtjen.

“Mbajtja fshehur e informacionit të zbulueshëm deri një ditë pune para dëshmisë së 1DW-003 dhe katër ditë pas përfundimit të seancës së përgatitjes së tij pengon në mënyrë materiale aftësinë e Mbrojtjes për t’u përgatitur. Sipas çdo matësi, ky vonim është një shkelje e kërkesës në Rregullën 102(3). ZPS-ja e mbajti fshehur zbulimin me qëllim të përfitimit të një avantazhi procedural. Për shembull, ZPS-ja e pyeti gjerësisht 1DW-001 lidhur me angazhimet e tij me Kosovën dhe përfaqësuesit e qeverisë kosovare që nga viti 1999. Këto lidhje dhe puna e 1DW-001 përshkruhen në disa nga dokumentet e zbuluara në Pakon e Zbulimit 1773, përfshirë SPOE00393245-00393267, SPOE40010609-40010632, SPOE40010633-40010643, SPOE40010668-40010708, SPOE40010718-40010719. Të gjitha përveç njërës nga këto artikuj ishin në posedim të ZPS-së më 19 gusht 2025; tjetri ishte marrë më 26 gusht 2025. Të gjitha u përdorën si bazë për të pyetur 1DW-001 më 2 shtator 2025. Asnjë nuk u zbulua deri më 11 shtator 2025”, thuhet në parashtresën e mbrojtjes.