75 Mall Live Search
11:28 / E Martë, 16 Shtator 2025 / L A

Vendoset fati i stadiumit “San Siro”

Kryetari i Bashkisë së Milanos, Giuseppe Sala, ka konfirmuar sot se AC Milan dhe Inter kanë arritur një marrëveshje për blerjen e zonës së San Siros, përfshirë edhe stadiumin legjendar “Giuseppe Meazza”.

Sala tha për RTL 102.5 se marrëveshja është e finalizuar, por vendimi përfundimtar do të merret nga Këshilli i Qytetit:

“Gjithçka është në rregull. Të mërkurën do të paraqesim rezolutën për shitjen e San Siros në këshill, sepse kemi arritur një marrëveshje me klubet.”

Ai theksoi gjithashtu se UEFA ka vendosur afate të qarta për ndërtimin e një stadioni të ri:

“Stadiumi duhet të jetë gati deri në vitin 2031, sepse UEFA nuk do ta marrë në konsideratë Milanin për Kampionatin Evropian 2032 nëse San Siro mbetet në gjendjen aktuale.”

Procesi tashmë do të kalojë për diskutim dhe votim në Këshillin e Qytetit, ku do të vendoset përfundimisht mbi miratimin e projektit. “Do ta sjell rezolutën në këshill dhe do ta mbështes. Më pas do të jetë Këshilli që do të vendosë, deri në fund të këtij muaji,” shtoi kryebashkiaku Sala.