Opozita do t’i drejtohet gjykatës, Berisha: Diella dhe rregullorja e kuvendit në Kushtetuese

Demokratët përballjen me Edi Ramën nuk do ta kenë vetëm në Kuvend por edhe në Gjykatën Kushtetuese.
Sali Berisha njoftoi nga mbledhja e grupit parlamentar se shumë shpejt dekreti i Presidentit Begaj për ministren virtuale Diella do të dërgohet në trupën kushtetuese.
“Diella po i bëhet sterrë dhe do i bëhet. Unë mendoj se, duhet ta nisim urgjentisht këtë dekret në Gjykatën Kushtetuese që të arkivohet në banesën e turpit të historisë”.
Jo vetëm për Diellën, demokratët do t’i drejtohen gjykatës më të lartë edhe për rregulloren e re të Kuvendit, që socialistët e miratuan me shumicë votash.
“Duhet të dërgojmë menjëherë në Gjykatën Kushtetuese me kërkesën dhe për pezullimin e vendimit të sotëm të miratimit të ndryshimeve të rregullores në të cilën janë shkelur parimet themelore të Kushtetutës, janë shkelur nenet e saj, germa dhe fryma e saj, është shkelur rregullorja e parlamentit”.
Pavarësisht kundërshtimeve opozitarët nuk do të bojkotojnë punën në Kuvend, pasi do të zënë e tyre në komisionet e përhershme parlamentare./Indeksonline/