Kapën dy vëllezërit e përfshirë në rrëmbimin dhe mbajtjen peng të një 23-vjeçari (Video)

Policia e shtetit ka njoftuar sot se ka vënë në pranga dy vëllezër të shpallur në kërkim, të dyshuar si bashkëpunëtorë në rrëmbimin dhe mbajtjen peng të shtetasit R. D., i cili u vra më 8 korrik 2025 në Burrel.
Operacioni i koduar “Operacionalja 68”, i zhvilluar nga Forca e Posaçme Operacionale në bashkëpunim me RENEA-n, bëri të mundur kapjen e tyre në një apartament në Tiranë.
Të arrestuarit janë: K.B., 29 vjeç dhe A.B., 24 vjeç.
Dy vëllezërit ishin shpallur në kërkim nga Gjykata e Shkallës së Parë – Dibër, si të dyshuar për veprën penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, kryer në bashkëpunim.
Nga hetimet rezulton se ata, së bashku me vëllanë e tyre F. B. dhe me shtetasin P. H. alias P. C., 55 vjeç (të arrestuar më herët për “Vrasje me paramendim” dhe “Rrëmbim dhe mbajtje peng e personit”), kanë rrëmbyer dhe mbajtur peng 23-vjeçarin R.D., trupi i pajetë i të cilit u gjet në liqenin e Ulzës, Shkopet.
Dy të arrestuarit u dërguan në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër, ku po kryhen veprime të mëtejshme hetimore.