75 Mall Live Search
12:38 / E Premte, 19 Shtator 2025 / H F

Votat e diasporës në 22 shtete, ja sa para i kushtuan buxhetit të Kosovës

Këtë të të mërkurë ka nisur procesi i votimit jashtë Kosovës për qytetarët që janë regjistruar për të votuar përmes postës në zgjedhjet lokale 2025, për kryetarë të komunave dhe për kuvendet komunale.

Për t’u siguruar që fletëvotimet të arrijnë në kohë te votuesit që jetojnë jashtë Kosovës, KQZ-ja ka kontraktuar një operator ekonomik për kryerjen e shërbimeve postare.

E shërbimet postare për votim jashtë vendit nuk është se i kanë kushtuar edhe pak kuletës së shtetit, transmeton IndeksOnline.

Vlera e përgjithshme e kontratës është 268,900.00 euro dhe tenderi i është besuar operatorit ekonomik “3P Sh.P.K”.

KQZ-ja ka sqaruar se, ndonëse shërbime të ngjashme ofrohen nga Posta e Kosovës, kjo e fundit nuk mund të garantojë arritjen e dërgesave në kohë në kontinentet jashtë Evropës (për shkak të kohëzgjatjes prej afërsisht dy javësh) dhe nuk ofron shërbimin e tërheqjes së pakove në shtetet përkatëse. Për këtë arsye, është parë i nevojshëm kontraktimi i një operatori me marrëveshje me kompani ndërkombëtare të postës së shpejtë (Express).