75 Mall Live Search
11:18 / E Premte, 19 Shtator 2025 / Z S

Kurti tha se nuk ka raporte të prishura me SHBA-në, Haziri: Qeveria amerikane e ka humbur durimin karshi Kurtit personalisht dhe qeverisë së tij

Gjatë mbledhjes së qeverisë ditën e sotme, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka komentuar vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës lidhur me pezullimin e dialogut strategjik me Kosovën.

 Kurti tha se nuk janë prishur me Amerikën, por që sipas tij, mes tyre ka dallime.

“Ne duam të qartësojmë për qytetarët tanë se bëhet fjalë për pezullimin e planifikimit për dialog strategjik, jo të dialogut strategjik si proces të nisur, e as të komunikimit të rregullt që ne e kemi. Nuk jemi prishur me Amerikën, por kemi disa dallime”, u shpreh Kurti.

Por me këtë nuk po pajtohet, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lufti Haziri.

Sipas Hazirit, Qeveria amerikane e ka humbur durimin karshi Kurtit personalisht dhe qeverisë së tij.

‘’Konfirmimi për suspendimin e dialogut strategjik me SHBA-në është hapi i radhës i cili dëshmon humbjen e durimit dhe veprimit nga Qeveria amerikane karshi Kurtit personalisht dhe qeverisë se tij’’, thotë Haziri për Indeksonline.

Më tutje Haziri shprehet se deklarata e SHBA-së, konfirmon marrëdhëniet e kushtëzuara që Qeveria amerikane i ka me Kurtin por jo me popullin e Kosovës dhe kjo është përsëritur tashmë dy vjet e gjysmë me radhë.

Sipas Hazirit, pos me SHBA-në, Kurti ka marrëdhënie të kushtëzuara edhe me Bashkimin Evropian.

‘’Kurti ka marrëdhënie të kushtëzuara edhe me BE-në, ku përveç sanksioneve financiare, ai bashkë me disa ministra të tij nuk mund të takohen, nuk ftohen në takim. Kurti për këto tre vite e ka përkthye Kosovën në një izolim politik në një unazë politike për veten’’, shprehet nënkryetari i LDK-së.

Pas vendimit për pezullimin e dialogut me Qeverinë e Kosovës, në detyrë të premten e kaluar Ambasada e SHBA-së në Prishtinë ftoi në një takim liderët opozitarë.

Lidhur me këtë nënkryetari i LDK-së shprehet se takimi në ambasadë ka të bëjë me konfirmim zyrtarë nga ana e ambasadores që suspendimi i dialogut ka ndodhur për arsye që ka ndodhur dhe për pasojat që mund të ketë në të ardhmen.

Haziri foli edhe për çështjen e konstituimin të kuvendit duke thënë se LDK-ja do të respektojë çfarëdo vendimi që vjen nga Gjykata Kushtetuese.

‘’Definivisht, Gjykata Kushtetuse është organi i cili është respektuar gjithmonë nga ana jonë’’, shprehet Haziri./Indeksonline/