KFOR-i shpall zonën operacionale të KEK-ut si “Zonë të Ndaluar për Fluturime”

KFOR ka shpallur zonën operacionale të KEK-ut si “Zonë të Ndaluar për Fluturime” , me fokus të veçantë në ndalimin e dronëve, për të garantuar sigurinë e infrastrukturës kritike energjetike të Kosovës.
Kështu ka njoftuar Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), sipas së cilës vendimi ka hyrë në fuqi më 1 shtator.
“Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) njofton opinionin publik se, bazuar në dispozitat e Ligjit Nr. 06/L-014 për Infrastrukturën Kritike, objektet dhe asetet e KEK-ut kategorizohen si pjesë e infrastrukturës kritike të Republikës së Kosovës. Kjo infrastrukturë përfaqëson themelin e furnizimit me energji elektrike për të gjithë qytetarët dhe ekonominë e vendit, duke e bërë atë një produkt thelbësor dhe të pazëvendësueshëm për jetën e përditshme dhe zhvillimin kombëtar. Duke marrë parasysh rëndësinë e kësaj infrastrukture, institucionet vendore dhe ndërkombëtare të sigurisë i kanë kushtuar vëmendje të veçantë mbrojtjes së saj. Në këtë drejtim, KEK ka pranuar sot vendimin zyrtar të KFOR-it, me Ref. Nr. BKPR:0736/25, përmes të cilit zona operacionale e KEK-ut është shpallur Zonë e Ndaluar për Fluturime (“No Flight Zone”), me theks të veçantë në sistemet ajrore pa pilot (dronë), thuhet në komunikatë.
Tutje, thuhet se ky hap përfaqëson një dëshmi të qartë të angazhimit të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare për të mbështetur sistemin e sigurisë së infrastrukturës energjetike të Kosovës, si një nga shtyllat kryesore të sigurisë dhe mbrojtjes.
“KEK sh.a. shpreh mirënjohjen e thellë për rolin e KFOR-it në kontributin ndaj sigurisë së objekteve të saj.Gjithashtu, KEK sh.a. falënderon të gjitha institucionet që kontribuojnë në mbrojtjen dhe sigurinë e infrastrukturës energjetike dhe u bën thirrje qytetarëve të jenë të vetëdijshëm për rëndësinë e saj dhe të respektojnë plotësisht të gjitha masat ligjore dhe të sigurisë në këtë drejtim”, vijon njoftimi.