75 Mall Live Search
16:29 / E Premte, 19 Shtator 2025 / Gj Sh

Laura Villars hyn në histori: kandidatja e parë femër për presidencën e FIA-s

Laura Villars, pilote zvicerane 27-vjeçare, ka shpallur zyrtarisht kandidaturën e saj për postin e presidentes së Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit (FIA).

Ajo sfidon aktualin Mohammed Ben Sulayem, i cili mban këtë detyrë që prej vitit 2021, si dhe ish-komisionerin e FIA-s, Tim Mayer. Me këtë hap, Villars është tashmë gruaja e parë në histori që kandidon për drejtimin e organit më të lartë të automobilizmit botëror.

Platforma e saj synon të adresojë problematika të forta të lidershipit aktual, që është shoqëruar me polemika dhe dorëheqje të shumta. Një prej tyre ishte ajo e ish-nënkryetarit Robert Reid, i cili kritikoi mungesën e transparencës dhe qeverisjen e dobët. Në këtë sfond, Villars premton rikthimin e një drejtimi më demokratik, gjithëpërfshirës dhe të hapur ndaj brezave të rinj dhe grave. “FIA duhet të rikthehet të jetë federata e klubeve. Besoj fort se diversiteti dhe inovacioni janë thelbësorë për të frymëzuar gjeneratat e ardhshme”, theksoi ajo.

Programi i saj përqendrohet në pesë pika kryesore: fuqizimi i klubeve, transparencë më të madhe financiare, krijimi i certifikatës “FIA Eco-Performance” për qëndrueshmëri mjedisore, zhvillimi i iniciativës “Girls on Track” për rritjen e pjesëmarrjes së grave, si dhe ngritja e një Akademie për Liderë të Rinj.

Villars nuk është vetëm teoriciene e automobilizmit, pasi ka konkurruar në seri si F4 UAE, Ferrari Challenge Europe dhe Ligier European Series, ku garon aktualisht me ekipin Team Virage. Zgjedhjet për presidencën e FIA-s do të mbahen më 12 dhjetor 2025 në Tashkent, Uzbekistan, ku mbështetja e federatave anëtare do të jetë vendimtare për fatin e saj politik.