Rikthehet në punë polici që u përfol për shaka ndaj kryeparlamentarit, Dimal Basha!

Arbenita Aliu, avokatja e rreshterit të Policisë së Kosovës, Sami Hoti ka njoftuar se ai bashkë me tre policë të tjerë, janë kthyer në detyrat policore.
Siç njofton avokatja, ata janë kthyer pasi Policia ka vlerësuar se ‘nuk kishte shkelje disiplinore nga ana e katër policëve’.
“Rreshteri Sami Hoti së bashku me tre policët e tjerë, para pak minutash u kthyen në detyrat policore, Policia e Kosovës ka vlerësuar se në rastin e Sami Hotit nuk ka pasur shkelje disiplinore dhe ka vendosur që ta kthejë atë në detyrën ku ka qenë. Ky vendim dëshmon një qasje të matur dhe të drejtë, duke e trajtuar këtë rast me vlerësim profesional dhe kredibilitet institucional”, njofton avokatja.
Avokatja thotë se rreshteri Hoti ka dëshmuar dinjitet gjatë luftës dhe pas saj dhe shton se ‘vendimi për ta kthyer në detyrë, është dëshmi për vlerën e Policisë së Kosovës’.
“Sami Hoti e ka dëshmuar dinjitetin e tij jo vetëm gjatë luftës, por edhe më pas, nën uniformën policore në aksione të shumta ku ka shërbyer me përkushtim për vendin. Edhe gjatë kësaj periudhe të suspendimit, ai ka treguar qetësi dhe integritet, duke e konfirmuar edhe një herë karakterin e tij të palëkundur si polic dhe si qytetar, andaj si përfaqësuese e tij kam thirrë për reflektim bazuar në dispozitat konkrete të Aktit administrativ si dhe Ligjit për policinë. Vendimi për rikthimin e tij në detyrë është një dëshmi se drejtësia dhe përgjegjësia institucionale janë vlera që Policia e Kosovës di t’i ruajë dhe respektojë.“, tha ajo.