75 Mall Live Search
13:09 / E Shtunë, 20 Shtator 2025 / F.R

Operacioni ‘Prive’, arrestohen pesë persona për prostitucion në Shqipëri

Policia e shtetit ka njoftuar se ka finalizuar operacioni policor i koduar “Prive”, nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve, pas një hetimi të kryer për rreth 7 muaj, në drejtimin e Prokurorisë.

Në njoftimin e policisë thuhet se është zbuluar një lokal në Mbrostar, ku ushtrohej prostitucion.

“Arrestohen 5 shtetas, ndër to-3 organizatorët e kësaj veprimtarie kriminale; 2 shtetaset nga Uganda që ushtronin prostitucion”, ka njoftuar policia.

Tutje, thuhet se janë sekuestruar shuma parash në valuta të ndryshme të përfituara nga kjo veprimtari, 2 armë të ftohta dhe 1 automjet.

“Gjatë operacionit “Prive”, u arrestuan shtetasit O. P., 29 vjeç, banues në Fier, K. H., 24 vjeçe, banuese në Peqin, O. G., 32 vjeçe, banuese në Fier, R. M., 24 vjeçe, banuese në Uganda dhe Sh. N., 22 vjeçe, banuese në Uganda.Nga hetimet ka rezultuar se në një lokal në Mbrostar, ku shtetaset nga Uganda ishin punësuar për të performuar kërcime, ato ushtronin dhe prostitucion”, thuhet në njoftim.

Organizatorë të dyshuar të kësaj veprimtarie kriminale janë 3 shtetasit shqiptarë, në rolet e rekrutuesve dhe administratorëve.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.