Aksioni policor në Vushtrri, të arrestuarit janë nga familja Gërbeshi

Prokuroria Themelore në Mitrovicë në koordinim me Policinë e Kosovës, njoftuan ditën e sotme se kanë realizuar një operacion policor në Vushtrri, ku kanë kontrolluar 3 shtëpi.
Nga ky operacion, 4 persona janë arrestuar nën dyshimin për kryerjen e veprave penale si: “Detyrimi”, “Lëndimi i lehtë trupor“ dhe “Arratisja e personave të privuar nga liria“.
Burimet e IndeksOnline mësojnë se ky aksion policior ka të bëjë me rastin e familjes Gërbeshi, të cilët janë nën hetime për aktivitete kriminale.
Javë më parë, edhe një zyrtar i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës ka përfunduar në pranga në Mitrovicë nën dyshimin për përfshirje në veprimtari të paligjshme.
Bëhet fjalë për pjesëtarin e Njësisë Speciale, Murat Latifi, nga Vushtrria i cili dyshohet se ka bashkëpunuar ngushtë me këtë familje, duke iu dhënë informata të vazhdueshme. /IndeksOnline/
NJoftimi i plotë i policisë:
Prokuroria Themelore në Mitrovicë në koordinim me Policinë e Kosovës, respektivisht Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, ka bërë realizimin e urdhëresës së Gjykatës Themelore në Mitrovicë – dega Vushtrri për kontrollin e shtëpive të katër (4) personave të dyshuar, ku që nga orët e hershme të mëngjesit janë kontrolluar gjithsej tri (3) lokacione, dy (2) në fshatin Ropicë të Vushtrrisë dhe një (1) lokacioni në qytetin e Vushtrrisë.
Nga ky operacion policor janë arrestuar tre (3) persona lidhur me dyshimin e kryerjes së veprës penale “Detyrimi”, si dhe një (1) person i cili ka qenë në arrati për veprat penale “Lëndimi i lehtë trupor“ dhe “Arratisja e personave të privuar nga liria“.
Me vendim të prokurorit, katër (4) të pandehurit ndalohen për 48 orë, ndërkaq operacioni është duke vazhduar