Ukraina thotë se Rusia i shënjestron zjarrfikësit me sulme të dyfishta

Forcat ruse i kanë shënjestruar ekipet e emergjencës ukrainase me sulm të dyfishtë vdekjeprurës, duke i plagosur dy punonjës të emergjencës në rajonin verior të Çernihivit, thanë zyrtarët ukrainas të dielën.
Sulmi gjatë orëve të hershme të së dielës ishte hera e dytë brenda një jave që forcat ruse goditën zjarrfikësit në këtë rajon kur at po reagonin ndaj një sulmi të mëparshëm me raketë ose dron, tha administratori ushtarak rajonal, Vyacheslav Chaus.
Gjatë natës, Rusia lëshoi gati gjashtëdhjetë dronë mbi 16 lokacione në të gjithë Ukrainën, një nga sulmet më të vogla në javët e fundit, sipas zyrtarëve ushtarakë.
Në rajonin verior të Sumit, që kufizohet me Rusinë, një dron rus goditi një magazinë, duke shkaktuar një zjarr të madh, thanë autoritetet.
Në muajt e fundit, sulmet me dronë dhe raketa të Rusisë ndaj Ukrainës kanë përfshirë qindra predha, shpesh duke mbingarkuar mbrojtjen ajrore ukrainase.
Në fjalimin e tij gjatë natës, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara të vendosin masa “të fuqishme” kundër Rusisë, pasi tensionet mes anëtarëve lindorë të NATO-s dhe Kremlinit po rriten.
Zelensky e përsëriti gjithashtu qëndrimin e tij se është i gatshëm të takohet me presidentin rus, Vladimir Putin, i cili deri tani nuk ka pranuar takim në vend neutral.
Trump, i cili ka shprehur kamotshëm admirim për Putinin, tani ndihet i zhgënjyer me liderin e Kremlinit pasi ai nuk po tregon gatishmëri për ta pranuar një armëpushim dhe për t’u angazhuar në bisedime direkte me Zelenskyn.
“Ai vërtet më ka zhgënjyer”, tha Trump gjatë një vizite në Londër më 18 shtator.
Uashingtoni dhe aleatët evropianë kanë vendosur tashmë masa financiare kundër Moskës pas nisjes së pushtimit të plotë në shkurt të vitit 2022, me qëllim për t’ia dobësuar ekonominë, por Kievi dhe mbështetësit e tij po kërkojnë veprime më të forta.
Vala e sulmeve gjatë natës erdhi pak pas reagimit të ashpër të vendeve të NATO-s ndaj një shkeljeje të hapësirës ajrore të Estonisë nga Rusia një ditë më parë, si dhe pas shkeljeve të fundit me dronë rusë në Poloni dhe Rumani.
NATO-ja duhet të përgjigjet fuqishëm ndaj shkeljeve ruse – përfshirë edhe rrëzimin e avionëve rusë, tha presidenti i Republikës së Çekisë, Petr Pavel.
Estonia tha më 18 shtator se tre avionë luftarakë rusë hynë në hapësirën e saj ajrore dhe qëndruan aty për 12 minuta, duke i detyruar vendet e tjera të NATO-s t’i ngrenë avionët e tyre në ajër menjëherë.
Kremlini e mohoi incidentin, duke thënë se avionët kishin fluturuar mbi ujërat ndërkombëtare.
Estonia tha se kishte kërkuar konsultime sipas Nenit 4 të Këshillit të Atlantikut të Veriut, të cilat pritet të zhvillohen javën e ardhshme.
Nga ana e saj, Ukraina ka zhvilluar një fushatë me dronë prej disa javësh, duke shënjestruar infrastrukturën e naftës në Rusi, gjë që ka ndikuar në rritjen e çmimeve të benzinës në mbarë vendin.
Në rajonin kufitar të Belgorodit, një grua u vra kur një predhë ukrainase goditi një shtëpi, tha guvernatori rajonal, Vyacheslav Gladkov, në një postim në Telegram.
Ushtria ruse tha se të paktën 65 dronë ukrainas u lëshuan ndaj objektivave ruse gjatë natës mes 20 dhe 21 shtatorit.
Njësia e inteligjencës ushtarake ukrainase pretendoi se kishte shkatërruar të paktën tre helikopterë Mi-8 të parkuar në një bazë në Krime, gadishullin e Detit të Zi të pushtuar nga Rusia për më shumë se një dekadë. Nuk pati konfirmim të menjëhershëm për sulmin./RadioEvropaeLirë