Këngëtari anulon koncertet, mori kërcënim për vdekje

Morrissey, ish-vokalisti i The Smiths, ka anuluar dy koncerte në SHBA pas një kërcënimi serioz me vdekje të marrë përpara një performance në Ottawa, Kanada.
Një 26-vjeçar nga Ottawa u arrestua dhe më pas u lirua me kusht, pasi dyshohet se kërcënoi jetën e këngëtarit britanik Steven Morrissey përpara një festivali muzikor. Edhe pse koncerti në Ottawa u mbajt sipas planit, këngëtari anuloi më pas shfaqjet në Boston dhe Connecticut, për arsye sigurie.
Sipas një deklarate nga MGM Music Hall në Boston, kërcënimi është konsideruar i besueshëm dhe janë marrë masa të shtuara sigurie për artistin dhe grupin e tij.
Morrissey njihet për qëndrimet e tij të drejtpërdrejta mbi çështje si të drejtat e kafshëve dhe politika. Në të kaluarën, ai ka bojkotuar Kanada-n në shenjë proteste ndaj gjuetisë së fokave.