Harry Styles vrapon në Maratonën e Berlinit nën një emër të rremë

Ylli britanik i muzikës, Harry Styles, është parë në mënyrë të papritur mes mijëra vrapuesve në Maratonën e Berlinit, duke marrë pjesë në garë pa e tërhequr vëmendjen – falë regjistrimit me një identitet të rremë.
Në një përpjekje për të qëndruar anonim, 31-vjeçari ishte regjistruar me emrin Sted Sarandos, por kjo nuk i ndaloi fansat e vëmendshëm ta identifikonin dhe ta përshëndesnin në rrjetet sociale. Sipas organizatorëve të eventit, Harry ishte një nga rreth 50 mijë pjesëmarrësit që morën pjesë në garën prej 42.2 kilometrash në rrugët e kryeqytetit gjerman.
Pjesëmarrjen e tij e konfirmoi edhe atleti paralimpik britanik Richard Whitehead, i cili postoi një foto së bashku me Styles-in dhe shkroi me humor:
“2:58 në Berlin me shokun tim! A e njeh ndokush?

Gjatë maratonës, Harry u pa me një veshje sportive: syze dielli, shirit koke, një bluzë të zezë, pantallona të shkurtra, si edhe atlete rozë të ndezura. Më vonë, ai veshi edhe një bluzë blu, ndoshta për t’u mbrojtur nga freskia pas garës.
Performanca e tij në këtë maratonë ishte mbresëlënëse: 2 orë, 59 minuta dhe 13 sekonda, një përmirësim i dukshëm krahasuar me kohën e arritur në Maratonën e Tokios në mars, ku kishte përfunduar në 3:24:07.
Ndërkohë, fituesi i përgjithshëm i Maratonës së Berlinit këtë vit arriti kohën 2:02:16, por pjesëmarrja e fshehtë e Harry Styles-it ishte pa dyshim një nga surprizat më të bukura të eventit.