75 Mall Live Search
12:05 / E Hënë, 22 Shtator 2025 / SH

Nënshkruhet marrëveshja, për sigurimin e integritetit të valutës Euro në Kosovë

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) dhe Banka Qendrore Evropiane (BQE) kanë nënshkruar Marrëveshje Bashkëpunimi në fushën e luftimit të falsifikimit të kartëmonedhave euro, duke forcuar më tej përkushtimin institucional për ruajtjen e integritetit të parasë së gatshme euro në qarkullim dhe sigurimin e stabilitetit financiar të vendit. Marrëveshja është nënshkruar nga Guvernatori i BQK-së, z. Ismaili dhe Presidentja e BQE-së, znj. Lagarde.

Përmes kësaj Marrëveshjeje, BQK do të ketë qasje në mekanizmat operativë të BQE-së të dizajnuar për të parandaluar dhe luftuar falsifikimin e kartëmonedhave euro dhe do të integrohet në rrjetin profesional të bashkëpunimit me bankat qendrore të Eurosistemit dhe institucione partnere jashtë zonës euro, përfshirë vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Ky bashkëpunim është rezultat i një përpjekjeje ndërinstitucionale në Republikën e Kosovës, e udhëhequr nga BQK, në koordinim me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, për të ndërtuar një kornizë të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse kundër falsifikimit.

Marrëveshja forcon objektivat e përcaktuara në legjislacionin e përgatitur për luftimin e parasë të falsifikuar, i zhvilluar me mbështetjen e Bankës Kombëtare të Kroacisë dhe institucioneve relevante vendore, në kuadër të projektit TAIEX të BE-së, i cili parasheh nisma për krijimin e Qendrës Kombëtare Kundër Falsifikimit dhe të Sistemit Kombëtar për Monitorimin e Falsifikimeve në Kosovë, në përputhje me Planin Strategjik të BQK-së.

BQK shpreh mirënjohje të veçantë për ekipin e ekspertëve që kanë punuar në këtë projekt, me vlerësim të veçantë për Bankën Qendrore Evropiane, e cila, përmes kësaj Marrëveshjeje Bashkëpunimi, ka hapur rrugën për avancimin e kapaciteteve tona institucionale, teknike dhe operacionale, në një përpjekje të përbashkët për të luftuar një dukuri që kërkon angazhim të vazhdueshëm dhe qasje sistematike.