75 Mall Live Search
19:22 / E Hënë, 22 Shtator 2025 / b l

​Shkarkimi i kryebashkiakut të Tiranës, Veliaj i përgjigjet Këshillit Bashkiak

Erion Veliaj, i është përgjigjur me një shkresë zyrtare Këshillit Bashkiak lidhur me procedurën e iniciuar për shkarkimin e tij, që do të zhvillohet ditën e nesërme.

Në dokumentin e firmosur prej tij, Veliaj thekson se nuk është informuar zyrtarisht nga sekretari i Këshillit për zhvillimin e mbledhjes së parashikuar, duke u njohur vetëm nga burime mediatike.

Prej disa ditësh Kryeministri Edi Rama propozoi shkarkimin nga detyra të Veliajt, ndërsa propozoi si kandidate të PS në garë, Ogerta Manastirliun, shkruan TCh.

Përgjigjja e Veliajt:

Në datën 22 shtator 2025, Sekretari i Këshillit Bashkiak të Tiranës ka bërë publik një njoftim (nuk ka një njoftim zyrtarë) mbi thirrjen e një mbledhjeje të Këshillit Bashkiak, të planifikuar për datën 23 shtator, ora 16:00.

Ky njoftim nuk përmban asnjë vendimmarrje të vetë Këshillit Bashkiak lidhur me garantimin e të drejtës kushtetuese të Kryetarit të Bashkisë për t’u dëgjuar, mbrojtur dhe shprehur qëndrimin e tij, siç parashikohet në çdo proces serioz e të drejtë që mund të çojë në një vendim për ndërprerje mandati kushtetues.

Sekretari i Këshillit Bashkiak nuk ka asnjë tagër ligjor për të marrë vendime në emër të Këshillit, dhe aq më pak për të interpretuar mënyrën se si Kryetari i Bashkisë duhet të ushtrojë të drejtën e tij për mbrojtje. Funksioni i Sekretarit është thjesht administrativ, jo politik dhe jo vendimmarrës.

Edhe një ditë para mbledhjes:

Kryetari i Bashkisë nuk është informuar zyrtarisht për qëllimin e mbledhjes;

Nuk është dërguar rendi i ditës;

Nuk janë bërë të ditura shkaqet apo materialet mbi të cilat pretendohet shkarkimi;

Nuk është garantuar e drejta për t’u dëgjuar e mbrojtur.

Kujtojmë se Kryetari i Bashkisë ndodhet në kushtet e paraburgimit, përmes një mase sigurimi joproporcionale, gjë që kufizon ndjeshëm aftësinë e tij për të qenë prezent me vullneti apo për të ndjekur në mënyrë efektive një proces që mund të prekë statusin e tij si i zgjedhur me votë nga qytetarët e Tiranës.

Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, mbetet në pritje të një vendimmarrjeje të qartë dhe të dokumentuar nga Këshilli Bashkiak, që garanton në mënyrë të plotë të drejtën e tij për të ushtruar mbrojtjen dhe për të qenë i dëgjuar, siç i takon çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë, aq më tepër një të zgjedhuri në mënyrë demokratike.