75 Mall Live Search
11:49 / E Martë, 23 Shtator 2025 / Z S

Breshëri dronësh mbi Moskë, kaos në kryeqytetin rus, avionët fluturojnë mes rrokaqiejve

Moska ka përjetuar mbrëmjen e kaluar një nga sulmet më të mëdha me dronë në muajt e fundit.

Kryetari i bashkisë, Sergei Sobyanin, tha se sistemet e mbrojtjes ajrore në kryeqytetin rus kishin rrëzuar më shumë se 30 dronë ndërsa nga mbetjet e tyre ka pasur kryesisht dëme materiale.

Mbetjet e dronëve dëmtuan katër automjete në Reutovo, ndërsa aeroporti Sheremetyevo u mbyll përkohësisht dhe aeroportet e tjera të Moskës patën vonesa. Kufizime u vendosën gjithashtu në aeroportet në Nizhnekamsk, Kazan dhe Gelendzhik, sipas Administratës Federale të Aviacionit.

Ministria ruse e Mbrojtjes pohon se midis pasdites së së hënës dhe mesnatës, 81 dronë ukrainas u rrëzuan mbi rajonet Belgorod, Bryansk, Kalushka, Kursk, Moskë, Rostov, Ryazan dhe Tula, si dhe në Krime. Ata shtojnë se midis mesnatës dhe mëngjesit të së martës, 69 dronë të tjerë u rrëzuan. Rusia pretendon se forcat e saj shkatërruan gjithsej më shumë se 180 dronë në më pak se 24 orë.

Mihail Razvozhayev, guvernatori i portit të Sevastopolit në Krime, selia qendrore e Flotës Ruse të Detit të Zi, tha se forcat kundërajrore shkatërruan të paktën gjashtë dronë pranë portit. Pjesë të dronit të rrëzuar shkaktuan një zjarr në terren të hapur, i cili u shua.

Guvernatori i rajonit Tula në Rusinë qendrore, Dmitry Milyaev, tha se tre dronë u rrëzuan pa viktima apo dëme.

Vyacheslav Gladkov, guvernatori i rajonit të Belgorodit, i cili kufizohet me Ukrainën, tha se prindërit duhet t’i mbajnë fëmijët e tyre në shtëpi dhe se dy qendra tregtare në rajon u mbyllën përkohësisht. Ukraina sakaq nuk ka komentuar për sulmet e mbrëmshme./Indeksonline/