75 Mall Live Search
15:53 / E Martë, 23 Shtator 2025 / KV

Granata dore, armë zjarri e barrikada, gjashtë të akuzuar për sulmin e 13 tetorit 2021

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave, me inicialet S.S., I.V., M.V., M.R., N.M. dhe A.L., për veprat penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale – Huliganizëm” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Sipas aktakuzës, më 13 tetor 2021, të pandehurit dyshohet se kanë marrë pjesë me dashje në turma prej dhjetëra personash në Mitrovicë të Veriut, duke u përfshirë në veprime të dhunshme kundër pjesëtarëve të Policisë së Kosovës dhe Doganës.
Ata akuzohen se kanë përdorur gurë, shufra druri e metali dhe granata dore, duke krijuar rrezik të përgjithshëm.

Hetimet tregojnë se të pandehurit kishin zënë pritë policisë, duke vendosur barrikada, ndërsa mjetet e blinduara policore janë goditur me plumba dhe granata dore. Si pasojë, zyrtarët policorë B.A., E.V. dhe S.A. kanë pësuar lëndime trupore.

Po atë ditë, sipas Prokurorisë, të pandehurit I.V., M.V. dhe M.R., në lagjen “Berxhane”, kanë sulmuar zyrtarët policorë dhe doganorë me bombola gazi dhe armë zjarri, duke rrezikuar jetën e tyre dhe duke goditur automjetet zyrtare.
Turma është drejtuar edhe drejt një barnatoreje, ku janë lënduar policët M.M., Xh.M., A.R., B.Sh. dhe A.M., ndërsa dëmi material i shkaktuar llogaritet mbi 20 mijë euro.

Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se hetimet janë finalizuar dhe aktakuza është dorëzuar në gjykatë për procedim të mëtejmë ligjor.