Mbi 70 persona të ndaluar në Moldavi, dyshohet se u trajnuan nga rusët në Serbi

Autoritetet moldave kryen 250 bastisje dhe ndaluan dhjetëra persona të hënën, si pjesë e një hetimi mbi një plan të dyshuar të mbështetur nga Rusia për të nxitur “revolta masive” dhe për të destabilizuar vendin në zgjedhjet parlamentare të së dielës, më 28 shtator.
Detajet e bastisjes u bënë të ditura nga Prokurori i përgjithshëm i PCCOCS, Victor Furtună, shefi i Inspektoratit të Përgjithshëm të Policisë, Viorel Cernăuțeanu, dhe drejtori i Shërbimit të Inteligjencës dhe Sigurisë, Alexandru Musteața, në një konferencë shtypi mbi bastisjet e kryera të hënën, më 22 shtator 2025.
Në total 74 persona u ndaluan pasi kishin marrë pjesë në seanca trajnimi në Serbi, të organizuara nga shtetas të Federatës Ruse, shkruan Radio Evropa e Lirë Moldavia.
Policia moldave deklaroi se komploti ishte “i koordinuar nga Federata Ruse, përmes elementeve kriminale”.
Shefi i Policisë, Viorel Cernăuțeanu, drejtori i Shërbimit të Inteligjencës dhe Sigurisë, Alexandru Musteața, dhe kryeprokurori i përkohshëm i Zyrës për Luftimin e Kriminalitetit të Organizuar dhe Çështjeve Speciale (PCCOCS), Victor Furtună, dhanë të hënën detaje mbi bastisjet e 250 vendbanimeve.
Hetimi filloi në muajin qershor, bëri të ditur Furtună, prokuror antimafia nga përtej Prutit.
Prokurorët zbuluan një grup personash të moshës 19 deri 45 vjeç, që udhëtonin në Serbi ku, sipas të dhënave, trajnoheshin si të thyenin kordonët policorë, si të rezistonin ndaj forcave të rendit, si të përdornin shkopinj gome, pranga dhe madje edhe armë zjarri në disa raste.
Për çdo seancë trajnimi ata merrnin rreth 400 euro.
Në total, në këtë çështje penale janë të përfshira 111 persona.
Gjatë 250 bastisjeve, forcat e rendit sekuestruan pasaporta, karta SIM, para, karta bankare nga shtete të huaja dhe armë, shkruan RELM, transmeton tv Dukagjini.
74 persona u ndaluan për 72 orë.
“Shumë persona kanë dhënë dëshmi të hollësishme: si kanë udhëtuar në Serbi, rreth organizatorëve të udhëtimeve dhe instruktorëve”, tha Furtună.
Shefi i Policisë, Cernăuțeanu, deklaroi se disa prej të dyshuarve nuk e dinin qëllimin e vërtetë të udhëtimit të tyre, për të cilin u ishte thënë se ishte një pelegrinazh. Vetëm më vonë u përfshinë në “trajnimet për çrregullime dhe destabilizim”.
Pjesëmarrja e dyshuar e Federatës Ruse
Ai shtoi se në fillim të hetimit “nuk ishin në shënjestër elemente politike”, por më vonë u vendos lidhja midis pjesëmarrësve në trajnim dhe disa “partive politike dhe grupeve kriminale”.
Trajnime të ngjashme dyshohet se janë mbajtur edhe në R. Moldavi, ndërsa seancat në Serbi u organizuan nga persona nga Federata Ruse.
Cernăuțeanu theksoi se personat e trajnuar në këtë mënyrë do të merrnin pjesë në revolta dhe do të luanin rolin e provokatorëve.
Shefi i SIS, Alexandru Musteața, sqaroi se personi që koordinonte trajnimet në Serbi prezantohej si punonjës i shërbimeve speciale ruse dhe përdorte pseudonimin “Bes” (demon, në rusisht – shën. red.), por identiteti i tij ende nuk është përcaktuar. Një tjetër organizator i seancave ishte Andrei Pavlov, oficer i Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë.
“Sipas hetimeve, ky dyshohet për planifikimin dhe organizimin në territorin e R. Moldavisë të akteve subversive, të financuara nga Federata Ruse, duke shfrytëzuar paralelisht edhe rrjetin e grupimit ‘Șor’ për të rekrutuar më shumë persona”, deklaroi Musteața.
Sipas tij, Andrei Pavlov është i njohur për organizimin e aktiviteteve subversive në disa vende të Bashkimit Europian, të Azisë dhe të Afrikës.
Të dielën, moldavët do të votojnë për zgjedhjen e një parlamenti të ri me 101 ulëse, në një proces që shumë e shohin si një zgjedhje mes integrimit në Bashkimin Europian ose lidhjeve më të ngushta me Rusinë.
Autoritetet moldave kanë akuzuar prej kohësh Rusinë për zhvillimin e një lufte hibride – ndërhyrje në zgjedhje, fushata dezinformimi, financime ilegale të partive pro-ruse – për ta devijuar vendin nga kursi i tij pro-evropian.
Moska ka mohuar në mënyrë të përsëritur ndërhyrjen në Moldavi.
Pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia, më 24 shkurt 2022, Moldavia kërkoi anëtarësim në BE dhe në të njëjtin vit mori statusin e vendit kandidat.
Brukseli ra dakord të hapë negociatat e anëtarësimit vitin e kaluar.
Kthesa pro-perëndimore e Moldavisë e ka irrituar edhe më shumë Moskën, duke shkaktuar rritje të ndjeshme të tensioneve mes dy vendeve.